Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç ka folur sonte në një konferencë për media me rastin e takimit të sotëm në Bruksel me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në të cilin nuk u arrit marrëveshje për targat.
Vuçiç tha se pala serbe do të respektojë vendimin e shefit të diplomacisë evropiane Josep Borrell, që të mos lëshojë targa të reja dhe as t’i ripërtërijë ato.
Duke folur për takimin disa orësh sot në Bruksel, Vuçiç akuzoi palën kosovare se nuk deshi të arrihet një zgjidhe kompromisi.
“Konsideruam të japim të gjithë nga të veten, të pranojmë zgjidhje kompromisi, edhe pse do të ishim kritikuar për këtë. Dhamë të tërën nga vetja, pranuam kërkesat e reja. Unë dikur pas një ore e gjysmë i thashë Borrell dhe Lajçak, se nuk ka asgjë nga kjo, e kuptova se do të kalojë koha dhe do të ketë kërkesa tjera dhe në realitet pala shqiptare nuk do të dëshirojë zgjidhje kompromisi”, tha ai.
Vuçiç ka theksuar se pala kosovare hodhi poshtë propozimin e BE-së që të ndalojë gjobitjen e pronarëve të automjeteve me targa ilegale.
Ai ka theksuar se serbët në veri nuk e kanë për obligim që të paguajnë gjobat për shkak të targave ilegale, ndërkohë që Serbia do të zbatojë propozimin e Borrell që të mos lëshojë më targa ilegale.
“Ata duhet ta kenë të qartë, se duhet të përpiqemi të ruajmë paqen. Për këtë duhet të jenë të vetëdijshëm njerëzit tanë në Kosovë dhe të tregojmë se për asnjë sekondë nuk kemi dashur konflikt, që të mos përdorim arrogancën e dikujt tjetër që të pranojmë konfliktin, por që të shmangim konfliktet deri në fund, që nëse protestojnë, le të protestojnë të qetë dhe në mënyrë demokratike, që të japim gjithë ka nga vetja që të ruajmë paqen. Sa i përket neve Serbia do ta pranojë propozimin e Josep Borrell dhe nuk do të lëshojë më targa të reja dhe madje nuk do të ripërtërijmë targat në periudhën e ardhshme… Ne nga nesër, nga ndërrimi i parë (i Policisë së Kosovës) na pret një periudhë e vështirë, mund të jemi të brengosur, por nuk ka vend për panik”, ka thënë Vuçiç .
Ndryshe, Policia e Kosovës ka konfirmuar për KosovaPress se nesër më 22 nëntor, përkatësisht gjatë ndërrimit të paradites, do të nisë shqiptimi i gjobave për vozitësit që posedojnë vetura me targa ilegale serbe.
Gjobitja e këtyre qytetarëve është si rrjedhojë e vendimit të Qeverisë së Kosovës për regjistrimin e makinave dhe konvertimin e targave ilegale në RKS.
Ndonëse edhe sot u zhvilluan negociata në Bruksel mes kryeministrit Albin Kurti, presidentit serb, Aleksandër Vuçiç të ndërmjetësuar nga përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell për gjetjen e një zgjidhje për targat, por ky i fundit tha se propozimin e tyre për shtyrje të afatit për targat e refuzoi kryeministri Kurti, ndërsa presidenti serb, Vuçiq pranoi që mos të lëshojnë më targa “KM” për serbët lokal në Kosovë./KosovaPress
Top Channel