SHBA-Iran, takim paqeje në Pakistan/ Dy delegacionet takohen në Islamabad të shtunën për një zgjidhje afatgjatë
Jack Smith nuk do të njihet më aq shumë si prokuror në Gjykatën speciale të Hagë, ku ishte ngarkuar me gjykimin e krimeve të luftës në Kosovë, sesa për detyrën e re që po i besohet: Të udhëheqë hetimet ndaj ish presidentit amerikan Donald Trump për dy cështje- dokumentet sekrete të konfiskuara në shtëpinë private të Donald Trump Mar-a-Lago dhe sulmin në Kapitol në 6 janar 2021.
Emrin e Smith e përzgjodhi Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së, Merrick Garland. Emërimi i një prokurori të Hagës për të ndjekur cështjen e Trumpit vjen vetëm tre ditë pasi ish shefi i Shtëpisë së Bardhë njoftoi synimin e tij për të garuar sërish si kandidat republikan në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 dhe një ditë pasi republikanët që morën kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve në Kongres, deklaruan se do ta kthejnë në prioritet të tyre hetimin e familjes Biden, dhe aferave të djalit të presidentit, Hunter.
Në prononcimin e tij të parë pas këtij zhvillimi, Smith deklaroi se ai do t’i kryente hetimet me shpejtësi, në mënyrë të pavarur dhe me themel. Garland e justifikoi veprimin e tij duke thënë se në “në dritën e zhvillimeve të fundit, duke përfshirë njoftimin e Presidentit të mëparshëm se ai është një kandidat presidencial në zgjedhjet e ardhshme, dhe synimin e Presidentit aktual (Joe Biden) për të qenë gjithashtu një kandidat, unë kam arritur në përfundimin se ka interes publik që të caktohet një hetues i posaçëm”.
Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë njoftoi se vendit e Smithit tashmë do të zërë Alex Whiting, që do të ushtrojë këtë funksion deri në emërimin e një Prokurori të Specializuar të ri.
Top Channel