Edhe pse ishte e pranishme në sallën e Parlamentit kur u vendos për fatin e mandatit të saj, Olta Xhaçka preferoi të mos votonte për veten, duke shmangur në këtë mënyrë konfliktin e interesit.
Por, një akt të tillë demokratët e prisnin kur bashkëshorti i ministres, Artan Gaçi u shpall investitor strategjik i një hoteli me pesë yje në brigjet e jugut.
Krah shefes të politikës së Jashtme herë pas herë u shfaq edhe Kryeministri, traditë e vjetër e Edi Ramës sa herë ministrat e tij vihen nën shënjestër.
73 kartonët e mazhorancës bashkë me atë të Kryeministrit u benë mburojë që kërkesa e opozitës për heqjen e mandatit të Olta Xhaçkës të rrëzohej.
Por, pa u tharë mirë boja e vendimit demokratët me dy padi të ndryshme edhe pse me thelb të njëjtë iu drejtuan gjykatës për të rrëzuar vendimin e Parlamentit
Bardhi: Shqipëria është rasti unik në botë ku ministri për Evropën e Punët e Jashtme, deputetja Xhaçka gëzon dhe statusin e investitorit strategjik.
Shehaj: Me këtë votim të turpshëm, maxhoranca e shndërroi Parlamentin edhe një herë tjetër në një mburojë për korrupsionin e qeveritarëve të saj.
Në të shkuarën Gjykata Kushtetuese ka dhënë vendime të ndryshme për rastet që lidhen me papajtueshmërinë e mandatit. Rasti i ish deputetes Valentina Leskaj mund të konsiderohet i përafërt, por jo i ngjashëm me ministren Xhaçka.
Zonja Leskaj u vu në vështirësi nga djemtë, qe kishin kurorat e tyre familjare, por një gjë e tille nuk mund të thuhet në rastin e Xhaçkës dhe Agaçit që ndajnë të njëjtën çati.
Top Channel