Të afërmit e viktimave shprehin lehtësim, pas dënimeve për rrëzimin e avionit MH17

18/11/2022 16:19

Një gjykatë në Holandë dënoi me burgim të përjetshëm dy rusë dhe një separatist pro-rus nga Ukraina për vrasje masive dhe rolin e tyre në rrëzimin e avionit të kompanisë Malaysia Airlines, që u rrëzua në lindje të Ukrainës më 2014, duke shkaktuar vdekjen e 298 pasagjerëve dhe pjesëtarëve të ekuipazhit.

Gjyqtarët thanë se tre të dënuarit e kishin blerë nga Rusia raketën që u përdor për ta rrëzuar aeroplanin.

Avioni i kompanisë ajrore Malaysian Airlines me numër fluturimi MH17 u rrëzua më 17 korrik 2014, gjatë muajve të parë të luftës midis separatistëve të mbështetur nga Rusia dhe forcave ukrainase.

Pjesë të raketës së prodhuar nga Rusia që goditi aeroplanin Boeing 777 u mblodhën me kujdes pas sulmit. Prokurorët arritën në përfundimin se ajo ishte qëlluar nga territori i kontrolluar nga separatistët pro-rus në Ukrainë.

Gjyqi filloi në mars të vitit 2020. Tre persona, të gjithë anëtarë të forcave separatiste të Donetskut, u shpallën fajtorë për vrasje masive duke blerë raketën “Buk” nga Rusia, e cila është përdorur në këtë sulm.

Të dënuarit janë Igor Girkin, ish-kolonel në Shërbimin Federal të Sigurisë ruse; zëvendësi i tij Sergej Dubinskiy dhe shtetasi ukrainas Leonid Kharchenko.

“Dënohen për bashkëpunim për shumë akuza për vrasje, përkatësisht 298”, tha kryetari i trupit gjykues, Hendrik Steenhuis.

Dënimi u lehtëson dhimbjen familjarëve të viktimave.

“Më duket se ky proces arriti fundin dhe ka qenë shumë i drejtë, i përpiktë dhe i plotë”, thotë Meryn O’Brien, nëna e viktimës së sulmit, Jack O’Brien

I dyshuari i katërt, Oleg Pulatov, u lirua nga të gjitha akuzat. Asnjë nga të dënuarit nuk ishte i pranishëm në gjyq. Ata besohet se ndodhen në Rusi, ndërsa Moska refuzon t’i ekstradojë.

“Edhe pse shanset që ata së shpejti të futen në burg janë të vogla, kjo nuk nënkupton se ata mund të mos burgosen më vonë, kur të ketë një ndryshim të regjimit rus. Ata nuk do të mund të mbrohen më nga shteti”, thotë Marieke de Hoon nga Universiteti i Amsterdamit.

Asnjë nga të dënuarit nuk akuzohet për lëshim të raketës. Prokurorët thanë se pajisja që mundësoi lëshimin e raketës “Buk” erdhi nga një bazë ushtarake ruse dhe u kthye atje pas rrëzimit të avionit.

Gjyqtarët dëgjuan përgjimet midis të dyshuarve, panë provat mjeko-ligjore nga vendi i ngjarjes dhe një rimodelim të rrugës që raketa ndoqi nga Rusia në Ukrainë, e krijuar bazuar në pamjet e hedhura në rrjete sociale.

Rusia mohon përfshirjen në sulm, ndërsa vazhdimisht ka ofruar pretendime të rreme, përfshirë atë se Ukraina rrëzoi aeroplanin.

“Zbulimi i së vërtetës është i rëndësishëm jo vetëm për familjarët, por edhe për Ukrainën që është në konflikt. U ndihmon të luftojnë pretendimet e rreme ruse”, tha zonja de Hoon.

Gjyqi mund të ketë sjellë pak qartësi për të afërmit e viktimave, por dhimbja ende është e pranishme, thonë dy prindër që humbën djalin e tyre 23 vjeçar Bryce Fredrikz dhe të dashurën e tij, 20 vjeçaren Daisy Oehlers.

“Ende nuk më besohet se nuk jetojnë më. Më duket e pamundur. Kur ecim rrugës, ndonjëherë shohim një vajzë me flokë të gjata të zeza nga pas dhe them ‘O zoti, është Daisy’. Ose shoh dikë me kapele që ecën si djali im”, përshkruan emocionet e saj Silene Fredriksz-Hoogzand.

“Ndonjëherë kur jam vetëm, më duket se dëgjoj zërat e tyre teksa më thërrasin. Pastaj më kujtohet se nuk jetojnë më”, thotë Rob Fredriksz, babai i Bryce.

Avokatët thonë se verdikti i së enjtes do të ndikojë në një proces tjetër gjyqësor në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, që do të shqyrtojë mbështetjen e Rusisë për separatistët ukrainas dhe rolin e saj në rrëzimin e aeroplanit të fluturimit MH17./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA