Raketa balistike interkontinentale që lëshoi së fundi Koreja e Veriut, ka aftësinë të godasë tokën amerikane.
Lajmin e pohoi ministri japonez i Mbrojtjes Yasukazu Hamada, sipas të cilit raketa e testuar nga vendi komunist ka rënë në ujë, rreth 210 kilometra në perëndim të ishullit të Hokaidos.
“Bazuar në përllogaritjes e bëra rreth trajektores që ka përshkuar raketa balistike këtë herë, ajo do të mund të kishte kapacitet udhëtimi prej 15.000 kilometrash, në varësi të peshës së kokës bërthamore që bart. Në atë rast nënkuptohet se do të mund të arrinte në SHBA”, tha Yasukazu Hamada, ministri japonez i Mbrojtjes.
Sipas ministrit, Phenianit i është bërë e ditur se veprime të tilla nuk mund të tolerohen. Shtetet e Bashkuara e dënuan testimin ndërsa Koreja e Jugut urdhëroi marrjen e masave të menjëhershme e më të fuqishme mbrojtëse kundër koreano-veriorëve.
Një ditë më parë, ministrja e Jashtme e Koresë së Veriut, Choe Son Hui, kishte apeluar për një reagim “të ashpër” ndaj çdo rritjeje të pranisë së Shteteve të Bashkuara në Gadishullin Korean. Në të njëjtën ditë, u tesuta raketa balistike.
Koreja Veriore ka lëshuar më shumë se 50 raketa në dy muajt e fundit, shumica e tyre me rreze të shkurtër veprimi.
Raketat me rreze të gjatë janë testuar më rrallë, por ato përbëjnë kërcënim direkt për SHBA-në, duke qenë se janë krijuar të mbajnë koka bërthamore e të drejtohen kudo në tokën amerikane.
Top Channel