Ushtria e Mianmarit tha të enjten se do të lirojë pothuajse 6 mijë të burgosur, duke përfshirë një ish-ambasador britanik, një gazetar japonez dhe një këshilltar australian për ekonominë.
Vendi i Azisë Juglindore ka qenë në trazira që nga puçi ushtarak më 2021 dhe një goditje e përgjakshme ndaj disidencës gjatë së cilës mijëra janë burgosur.
Ish e dërguara britanike atje, Vicky Bowman, këshilltari australian i ekonomisë, Sean Turnell dhe gazetari japonez Toru Kubota “do të lirohen për të shënuar Ditën Kombëtare”, tha një oficer i lartë për AFP.
Të tre do të largoheshin nga Mianmari, tha ushtria pa specifikuar një datë.
Rreth 200 njerëz ishin mbledhur jashtë burgut Insein në Yangon me shpresën se të dashurit e tyre do të ishin në mesin e të liruarve, thanë gazetarët e AFP-së të cilët panë gjithashtu disa autobusë të verdhë që hynë në kompleksin e gjerë.
Gjithsej, 5,774 të burgosur do të lirohen, “përfshirë rreth 600 gra”, tha zyrtari i ushtrisë.
Vicky Bowman, e cila shërbeu si ambasadore nga viti 2002 deri në vitin 2006, u arrestua me bashkëshortin e saj në gusht pasi nuk deklaroi saktë adresën ku jetonte.
Më vonë ata u burgosën për një vit. Burri i saj, artisti i njohur nga Mianmar, Htein Lin, gjithashtu do të lirohet, tha zyrtari ushtarak.
Një burim diplomatik britanik tha se Bowman ende nuk është liruar, por ata prisnin që ajo të lirohej.
Lidhjet midis Mianmarit dhe ish-sundimtarit të saj kolonial, Britanisë, janë përkeqësuar që nga marrja e pushtetit nga ushtria.
Të paktën 170 gazetarë janë arrestuar që nga puçi sipas UNESCO-s, me rreth 70 ende në paraburgim.
Më shumë se 2,300 civilë janë vrarë që nga shtypja e ushtrisë ndaj disidencës pasi rrëzoi qeverinë e Suu Kyi, sipas një grupi monitorues të Mianmarit.
Top Channel