SHBA ndëshkon 13 kompani për shkelje të sanksioneve ndaj Iranit

17/11/2022 21:06

Shtetet e Bashkuara vendosën të enjten sanksione ndaj disa kompanive me bazë në Kinë, Hong Kong dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat Uashingtoni i akuzon për shkelje të sankioneve duke mundësuar shitjen e produkteve petrokimike dhe produkteve të naftës për blerësit në Azinë Lindore.

Masa e fundit amerikane kundër tregtisë së paligjshme të naftës iraniane vjen pas ngecjes së përpjekjeve për rikthimin e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 me Iranin dhe kur raportet e Republikës Islamike me Perëndimin janë gjithnjë e më të tensionuara, ndërsa iranianët vazhdojnë protestat antiqeveritare.

Uashingtoni po vë gjithnjë e më shumë në shënjestër kompanitë kineze lidhur me eksportin e produkteve petrokimike, ndërsa shpresat për rikthimin tek marrëveshja bërthamore janë zbehur.

Departamenti amerikan i Thesarit tha në një deklaratë se 13 kompanitë ndaj të cilave u vendosën sanksione, të enjten lehtësuan shitjen e produkteve petrokimike iraniane dhe produkteve të naftës, në vlerë prej qindra miliona dollarësh për blerësit në Azinë Lindore.

Sipas Uashingtonit, tregtia u bë në emër të kompanive nën sanskione amerikane, duke përfshirë Kompaninë Kombëtare iraniane të Naftës dhe kompaninë tjetër iraniane “Trillians Petrochemical Co. Ltd”.

“Veprime e sotme janë një shembull i metodave komplekse të shamgies së sanksioneve që Irani përdor për të shitur naftë dhe produkte petrokimike në mënyrë të jashtëligjshme”, tha në një deklaratë nënsekretari i Thesarit për Terrorizmin dhe Zbulimin Financiar, Brian Nelson.

“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të zbatojnë sanksione kundër atyre që lehtësojnë këto shitje”, shtoi ai.

Misioni iranian në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork nuk u përgjigj menjëherë në kërkesën për një koment të agjencisë së lajmeve Reuters

Mes kompanive të ndëshkuara nga Departamenti amerikan i Thesarit ishin edhe disa firma me bazë në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Hong Kong, të cilat akuzohen për lidhjet e tyre me kompaninë iraniane “Triliance Petrochemical Co. Ltd”.

Sipas Uashingtonit, vendimi për përcaktimin e tyre shënjestron shmangien e sanksioneve amerikane nga firma me bazë në Hong Kong.

Departamenti i Thesarit vuri në listë edhe kompaninë me bazë në Dubai, “Access Tehnology Trading L.L.C.”, e cila akuzohet për blerje në vlerë prej dhjetëra miliona dollarësh të një dërgese kineze të produkteve petrokimike nga Kompania Tregtare e Industrisë Petrokimike e Gjirit Persik, ndaj së cilës Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione.

Kompania me bazë në Kinë “Trading Import and Export Trace Co. Ltd.” është gjithashtu në listë. Uashingtoni e akuzon atë për lehtësimin e një dërgese nafte për një klient të huaj të Kompanisë Kombëtare iraniane të Naftës.

Agjencia e lajmeve Reuters nuk arriti të kontaktonte kompanitë për një koment.

Vendimi i së enjtes ngrinë çdo pasuri amerikane të kompanive të vendosura në listën e atyre që kanë shkelur sanksionet ndaj Iranit, dhe në përgjithësi u ndalon amerikanëve që të bashkëpunojnë me to.

Ata që angazhohen në transaksione financiare me këto kompani rrezikojnë të goditen nga sanksione të reja amerikane./voa

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA