Pentagoni organizoi dje takimin e shtatë virtual të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, vendet anëtare të së cilit bashkëpunojnë për të mbështetur ushtrinë e Ukrainës, ndërsa gjenerali më i lartë amerikan pohoi se dimri mund të jetë ideal për negociatat politike.
Ai gjithashtu paralajmëroi se Kina do të luante një “lojë shumë të rrezikshme” nëse përpiqet ta marrë Tajvanin me forcë.
Pentagoni thotë se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj do të vazhdojnë të mbështesin Ukrainën në luftën e saj kundër agresionit rus për aq kohë sa të jetë e nevojshme. Megjithatë, Shefi i Shtatmadhorisë amerikane, gjenerali Mark Milley tha se gjasat për një fitore ushtarake dhe të plotë të Ukrainës janë ende të pakta.
“Gjasat që Rusia të arrijë objektivat e saj strategjikë për të pushtuar Ukrainën janë afër zeros. Por, ajo tani kontrollon 20 për qind të territorit të Ukrainës. Mundësia e një fitoreje ushtarake ukrainase, e përkufizuar si dëbim i rusëve nga e gjithë Ukraina, përfshirë Krimenë , nga pikëpamja ushtarake brenda një periudhe të shkurtër kohore, nuk është shumë e lartë”, tha ai.
Por ai tha se është e mundur të arrihet një zgjidhje politike paqësore afatshkurtër.
“Preferenca është të negociosh nga një pozicion i fortë. Rusia tani është në pozicion të dobët. Ushtria ruse po vuan humbje të jashtëzakonshme”, tha gjenerali amerikan.
Ushtria ruse ka pësuar humbje të mëdha të ushtarëve dhe pajisjeve ushtarake që nga fillimi i sulmit ndaj Ukrainës në shkurt të këtij viti.
“Ata kanë përdorur një numër shumë të madh të raketave me saktësi të lartë në këtë luftë”, tha Sekretari Austin.
I pyetur nga korrespondentja e Zërit të Amerikës në Pentagon, Carla Babb, se a mund ushtria ruse të rezistojë për disa vite, që sipas vlerësimeve të Departamentit amerikan të Mbrojtjes, janë të nevojshme për zëvendësimin e municioneve të përdorura në luftë, zoti Austin tha:
“Nuk mendoj se ukrainasit do t’i lejojnë ata të mbajnë territoret e pushtuara. Mendoj se ukrainasit do të vazhdojnë t’u bëjnë presion. Kështu që, kjo dinamikë e fushëbetejës do të ndryshojë, do të vazhdojë të ndryshojë.”
Pentagoni gjithashtu konfirmoi deklaratat e mëparshme të Shteteve të Bashkuara, NATO-s dhe Polonisë se një raketë e mbrojtjes ajrore ukrainase ka të ngjarë të ketë shkaktuar në mënyrë aksidentale vdekjen e dy personave në Poloni pranë kufirit me Ukrainën të martën. Presidenti i Ukrainës nuk është dakord me këtë vlerësim.
“Ka shumë gjasa që raketa të ketë qenë e forcave të mbrojtjes ajrore të Ukrainës, por ne duhet të presim për rezultatet e hetimit që po zhvillohet për këtë”, tha zoti Austin.
Shefi i shtatmadhorisë amerikane paralajmëroi dje Kinën lidhur me Tajvanin, duke theksuar se një përpjekje për pushtim ushtarak të ishullit do të ishte një “lojë shumë e rrezikshme”.
“Mendoj se kinezët do të rrezikonin shumë nëse do të ndërmerrnin një operacion të tillë. Mendoj se nuk do të ishte vendim i mençur. Do të ishte një gabim politik, gjeopolitik, dhe strategjik, i ngjashëm me atë që bëri Putini në Ukrainë”, tha ai.
Gjeneral Milley tha se ushtria e Shteteve të Bashkuara do të vazhdojë të jetë më e forta në botë dhe për aq kohë sa do të jetë e para në botë, ajo do të frenojë fillimin e një lufte mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara.
Top Channel