Energjia, takim ballkanik/ Organizohet nga qeveria e Norvegjisë, bëhen bashkë liderët e Ballkanit

17/11/2022 15:24

Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në konferencën energjetike të organizuar nga qeveria e Norvegjisë, ku ka mbledhur së bashku vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në fjalën e tij kreu i ekzekutivit theksoi rëndësinë e rajonalizimit të tregjeve si një hap që do sjellë më shumë investime, ndërsa kërkoi ndihmën e Norvegjisë si model suksesi.

Rama: Sa i takon energjisë duhet të shkojmë përtej kufijve tanë, pasi në të kundërt mbetemi tregje të vogla dhe ajo çfarë na duhet dhe kemi nevojë, nëse trajtohet në mënyrë të izoluar mund të jetë shumë më kushtueshme dhe jo vetëm kaq. Besoj duke vepruar në nivel rajonal sa i takon tregut të energjisë, ne mund të kemi një qasje më të lehtë në financime. Po kështu mund një partneritet shumë më të fortë në sektorin privat’ .

Ndërkaq edhe liderët e tjerë rajonal mbështetën qasjen se tregu duhet të bashkohet

Vuçiç: Është një nivel i madh investimesh që duhen bërë për energjinë dhe po flas për Serbinë. Dhe në varësi të zgjedhjeve që ne do të bëjmë, mund të jenë investime nga 17 – 32 miliardë euro për vitet e ardhshme në mënyrë që të jemi në gjendje të mbijetojmë dhe të kemi gaz dhe energji elektrike të mjaftueshme.

Zoran Tegtija: Na duhet bashkëpunim rajonal për të arritur objektivat e tranzicionit të gjelbër. Ne kemi nisur një sërë investimesh së bashku me Serbinë. Një sipërmarrje e përbashkët për një hidrocentral. Procesi ende nuk ka nisur, por mesazhi për bashkëpunim është shumë i mirë. ”

Abazoviç: Shumica e qyteteve në Malin e Zi kanë më shumë se 250 ditë diell. Ideja është që të ndërtojmë impiante të reja. Në fakt, që prej kohës së Jugosllavisë nuk është se kemi ndërtuar objekte të rëndësishme. Ideja është që të ndërtojmë më shumë impiante të reja sidomos kur vjen puna tek energjia e diellit dhe ajo e erës.

Kovaçevski: Kjo është një mundësi për të shfrytëzuar potencialin për energji të gjelbër në Ballkanin Perëndimor, por edhe po ashtu për ta shndërruar rajonin në një fuqi energjetike. Në vitet e fundit kemi parë ndasi dhe keqkuptime, por sidomos në 2 vitet e fundit ky rajon ka nisur të jetë rajoni i bashkëpunimit dhe i mundësive.

Norvegjia është vend eksportues i energjisë në Evropë. Gjithashtu vendi nordik është i mbështetur 100% mbi energjinë e rinovueshme dhe kjo e bën atë një model suksesi në Europë dhe botë. Ndërkohë edhe në vendin tonë kompani të mëdha energjetike norvegjeze, si Statkraft kanë investuar në hidrocentrale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA