Sulmet ruse me raketa në Ukrainë shkaktuan ndërprerje të shkurtër të energjisë në të gjithë Moldavinë.
Moldavia është vend fqinj me Ukrainën.
Zyrtarët thanë se energjia u ndërpre në orët e vona të pasdites, më 14 nëntor, pasi një linjë që furnizonte këtë shtet me energji elektrike nga Rumania, u shkëput nga sistemi.
Zëvendëskryeministri i Moldavisë, Andrei Spinu, tha më vonë gjatë ditës se furnizimi me energji elektrike ishte “rikthyer në shumicën e lokaliteteve”.
Ai shtoi se rreziku i ndërprerjeve të energjisë elektrike mbetet ende i lartë.
Presidentja moldave, Maia Sandu, denoncoi sulmet në infrastrukturën e Ukrainës, duke thënë se ato prekën gjithashtu një numër të madh njerëzish jashtë territorit ukrainas.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se sulmet ruse me raketa, që goditën të martën disa qytete të Ukrainës, kanë çuar në ndërprerje të energjisë elektrike në të gjithë vendin.
Në fillim të nëntorit, pas dëmtimit të madh në rrjetin elektrik, kur Rusia lëshoi dronë kamikazë mbi Ukrainën, miliona ukrainas mbetën pa energji elektrike. Kievi e akuzoi më pas Moskën për “terrorizëm energjetik”.
Rusia ka nisur pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës në fund të shkurtit.
Perëndimi e ka dënuar ashpër sulmin dhe ka ndërmarrë sanksione të ashpra kundër Rusisë.
Ukrainën, në anën tjetër, është duke e ndihmuar me armatim.
Të martën ka pasur raporte se dy raketa të prodhimit rus kanë rënë në Poloni – vend anëtar i NATO-s – duke shkaktuar vdekjen e dy personave.
Këto raporte janë duke u hetuar.
Top Channel