Këshilli i Agjencisë për Median Elektronike (SAEM) në Malin e Zi kërkoi nga Organi Rregullator për Median Elektronike në Serbi që të iniciojë procedurat për mbajtjen përgjegjës të transmetuesit televiziv “Happy TV” me seli në Beograd, për shkak të asaj që e cilësoi “shkelje të standardeve të përcaktuara nga Konventa për Televizionin Ndërkufitar”.
Këshilli kërkoi të ndërmerren masat e duhura ndaj këtij televizioni që ka shikueshmëri edhe në Malin e Zi.
“Ky televizion pa mëdyshje dhe në vazhdimësi transmeton përmbajtje që nxisin urrejtje, intolerancë dhe diskriminim ndaj komunitetit malazez“, thuhet në njoftimin e Këshillit të Agjencisë për Media Elektronike.
Në fillim të këtij viti ky këshill, ndaloi transmetimin për gjashtë muaj të programit “Novo jutro”, i cili transmetohej në televizionin serb Pink.
Asokohe, këshilli vuri në dukje se “kjo media është shembull i shkeljes së standardeve profesionale dhe etikës gazetareske”.
Ndërkohë, raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Vladimir Bilçik, reagoi ndaj rikthimit të televizionit shtetëror rus “Russia today” në Serbi, të cilën e sheh “në kundërshtim me angazhimin e Beogradit për të harmonizuar politikën e tij të jashtme me BE-në”.
“Veprimet flasin më shumë se fjalët. Kthimi i propagandës ruse në Serbi, në formën e “Russia today“, është në kundërshtim me angazhimin e Serbisë për të harmonizuar politikën e saj të jashtme me BE-në. Një vend që është një kandidat serioz për anëtarësim në BE, nuk duhet të jetë një qendër dezinformimi nga Kremlini”, shkruante zoti Bilçik në Twitter.
Gazeta ruse “Sputnik” njoftoi të dielën se së shpejti “Russia today” do të fillojë transmetimet në gjuhën serbe.
Në mars, Këshilli i BE-së vendosi të pezullojë transmetimet e mediave shtetërore ruse “Russia today” dhe “Sputnik” në të gjithë vendet e Bashkimt Evropian.
Sipas Brukselit zyrtar, këto dy media janë instrumente të rëndësishme në “nxitjen dhe mbështetjen e agresionit rus” kundër Ukrainës dhe se ato përfaqësojnë një “kërcënim të madh e të drejtpërdrejtë për rendin publik dhe sigurinë e BE-së”./VOA
Top Channel