Në Berat, kryeministri Edi Rama duke bashkëbiseduar me fermerët nuk e kishte një recetë magjike për të frenuar pamundësinë e shitjes së prodhimeve dhe hedhjen e tyre në kanal.
Megjithatë, e përsëriti zgjidhjen e thënë edhe në qytete të tjera në turin e tij para-lektoral.
“S’ka arsye të ketë një kokërr domate të hedhur për shkak se nuk është e të njëjtës cilësi. Ka në çdo prodhim, 3%, 5%, 10%, 15% që nuk është në të njëjtën cilësi si prodhimi që hyn nëpër arka për të shkuar për eksport. Kjo është një sasi me të cilën mund të bëhet një ekonomi tjetër dhe për këtë ekonomi tjetër duhet të punojmë bashkërisht dhe për të punuar bashkërisht na duhet një nivel tjetër, nuk mund të jetë më një histori ku gjithsecili aplikon individualisht”.
Edi Ramës në Berat nuk i mungoi edhe mesazhi politik në adresë të opozitës:
“Për fat të keq, është një degë e shtrembër e pemës gjenealogjike e shqiptarëve që është në mision qysh në 1912 që është një mallkim me të cilin duhet të merren shqiptarët vetë sepse nuk ka kush e zgjidh tjetër, dhe unë nuk di se çfarë duan të shikojnë akoma me sy dhe të dëgjojnë akoma me veshë disa shqiptarë. Fatmirësisht janë pakicë. Do të jenë pakicë. S’ka se si të bëhen kurrsesi shumicë”.
Top Channel