Ish-presidenti Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, do ta bëjë njoftimin për rikandidim për zgjedhjet presidenciale të 2024-s të martën, më 15 nëntor.
Këtë informacion e ka konfirmuar këshilltari i tij Jason Miller, i cili shprehet se Trumpi thotë se kandidatura e tij në zgjedhjet e ardhshme nuk duhet vënë fare në dyshim.
“Presidenti Trump do të njoftojë të martën se do të kandidojë për president. Dhe do të jetë një njoftim shumë profesional, shumë intrigues”, ka thënë Miller. Milleri u shpreh se ai foli me Trumpin në telefon më herët gjatë ditës, kur ishte në fushën e golfit. Trumpi i tha Millerit se “nuk kishte nevojë të viheshin në dyshim” synimet e tij.
“Unë do ta bëj dhe dua të sigurohem që njerëzit ta dinë se jam i emocionuar dhe se duhet ta kthejmë vendin në rrugën e duhur”, ka thënë Trump. Miller, i cili ka punuar në fushatat e Trumpit më 2016 dhe 2020 dhe mbetet këshilltar i tij pas presidencës, ka thënë se pret që një turmë e madhe dhe qindra media të marrin pjesë në njoftimin e së martës në pronën e Trumpit në Mar-a-Lago në Florida.
Top Channel