Kanali shtetëror rus, Russia Today (RT), njoftoi të martën se ka nisur transmetimin online të programit në gjuhën serbe.
Lajmi është konfirmuar në Twitter nga kryeredaktorja e RT-së, Margarita Simonyan, me mesazhin: “Ne e nisëm RT-në në Ballkan, sepse Kosova është Serbi”.
Në një deklaratë të publikuar në uebsajtin e RT-së në gjuhën ruse, thuhet se transmetimi i programit televiziv në gjuhën serbe do të fillojë në vitin 2024.
“Me siguri, askund në botë nuk na kanë pritur aq shumë sa këtu. Unë dua t’u drejtohem serbëve të dashur në gjuhën e tyre: ‘Vëllezër, shikoni RT'”, tha Simonyan në një njoftim zyrtar të televizionit shtetëror rus.
Është cituar edhe deklarata e kryeredaktores së programit serb, Ellena Millinçiç, e cila tha se “banorët e rajonit do të kenë qasje në kanalin e RT-së në gjuhën serbe, e cila do të jap një pasqyrë më të plotë të botës moderne”.
“Të bëhesh pjesë e hapësirës mediatike të Ballkanit është një sfidë e madhe për ne. Ne jemi gati për të”, tha ajo, përcjellë RT.
Bashkimi Evropian ka pezulluar transmetimin e disa mediave të mbështetura nga Rusia, përfshirë RT-së, më 1 mars.
Blloku evropian ka sanksionuar edhe Margarita Simonyan, kryeredaktore e kanalit të RT-së në gjuhën angleze.
“Sputnik dhe Russia Today janë nën kontroll të drejtpërdrejtë apo jo të drejtpërdrejtë të autoriteteve të Federatës Ruse dhe janë instrumente të rëndësishme për të rritur mbështetjen për agresionin ushtarak kundër Ukrainës, si dhe për destabilizim të shteteve fqinje”, ka thënë shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell më 2 mars.
BE kishte ka reaguar në korrik pas njoftimeve jozyrtare se Russia Today planifikon të hapë një stacion televiziv në Serbi.
Brukseli tha atëherë se pret që Serbia të përmbahet nga intensifikimi i marrëdhënieve me Rusinë.
Por autoritetet në Serbi, pavarësisht thirrjeve nga Brukseli, refuzojnë të respektojnë sanksionet evropiane.
E lansuar më 2005 si Russia Today, është media shtetërore e Rusisë, e cila është zgjeruar në vazhdimësi.
Aktualisht ka kanale në disa gjuhë përfshirë ato: angleze, franceze, spanjolle dhe atë arabe.
Pavarësisht operimit në platforma të ndryshme përreth botës, RT është përballur me goditje të mëdha muajve të fundit, pasi kompani të mëdha të teknologjisë kanë bllokuar kanalet e saj për shkak të sulmit të paprovokuar të Rusisë në Ukrainë./REL
Top Channel