Teksa është në përfundim të vitit si kryeqyteti Europian i Rinisë, Tirana ka marrë një tjetër titull.
Për vitin 2023 do të jetë qyteti Europian i Sportit, çka do të thotë se aktivitetet nuk do të ndalojnë.
“Sporti duhet të jetë një promovues i reziliencës, i elasticitetit të qytetit tonë, i gjithëpërfshirjes i të gjitha shtresave të popullatës, përfshirë këtu shtresat në nevojë, grupet e marzhinalizuara, minoriotete, të rinjtë, fëmijët, mosha e tretë. Dhe gjithashtu transformimin e shoqërisë si një nga misionet kryesore të sportit që nuk është vetëm aktivitet fizik por ka dhe një mision transformues, edukues, për të gjitha moshat që përshihen ne aktivitete sportive”, tha Genci Kojdheli.
Për të pasur sa më shumë aktivitete, do të ketë një strukturë menaxhuese, e cila do të bashkëpunojë me institucionet që bëjnë politika sportive ne vend.
“Së pari ne duhet të fillojmë komunikimin zyrtar me të gjitha institucionet me të cilat bëjnë politika sportive në vend duke filluar që nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, por dhe me Komitetin Olimpik Kombëtar shqiptar, me te gjitha federatat që janë aktive në Tiranë për çështjet e sportit, për programin shkollat si qendra komunitare. Të gjitha këto do na japin tashme një kalendar zyrtar të aktiviteteve që priten të zhvillohen në Tiranë”, u shpreh Genci Kojdheli.
Mes 30 qyteteve të tjera që ishin në garë, Tirana arriti që të fitojë titullin për Qytetin Europian të Sportit për vitin 2023.
Top Channel