Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj sulmoi mediat në lidhje me akuzat për vendosjen e çmimit të karburanteve nga ana e Bordit të Transparencës.
Sipas ministres, Bordi ka ulur marzhin e fitimit për tregtarët e naftës dhe po mbron qytetarët nga çmimet e lartë. A ka ndodhur vërtet kështu siç thotë ministrja, apo siç kanë ngritur akuzat mediat? Shembulli perfekt është vendimmarrja e Bordit të Transparencës më 7 tetor, kur rriti me 22 lek çmimin për një litër naftë. Bordi justifikonte vendimin me rritjen e çmimeve në tregje dhe forcimin e dollarit. Të dyja alibitë rrëzohen me pak llogaritje. Në fillim të tetorit, dollari këmbehej me 118 lek. Çmimi i një litri nafte të rafinuar në tregjet ndërkombëtare, pra e pataksuar ishte 0.89 dollarë, ose e këmbyer në lek me kursin e dollarit të datës 1 tetori, 104.5 lek.
Më 7 tetor, dollari këmbehej me 120 lek, ndërsa çmimi i një litri naftë të përpunuar në tregjet ndërkombëtare ishte 1 dollarë. Kjo do të thotë se brenda një jave, çmimi i një litri naftë u rrit me 0.11 dollarë, ose rreth 14 lek në tregjet ndërkombëtare.
Logjikisht, sipas deklaratës së ministres Ibrahimaj sot dhe deklaratës së Bordit të Transparencës në vendimmarrjen e datës 7 tetor, çmimi duhej rritur jo më shumë se 14 lek për litër. Por, çmimi u rrit me 22 lek, ose 8 lek më shumë se rritja në bursë.
Shembulli ilustron vendimet abuzive të bordit vetëm në rastet e rritjes së çmimeve, por raste të mosuljes së tyre, apo të uljes me vonesë dhe në shifra qesharake nga luhatjet e bursës janë me shumicë.
Top Channel