Shtypja e protestave nga Irani dhe shitja e dronëve Rusisë kanë larguar vëmendjen e Shteteve të Bashkuara nga rikthimi i marrëveshjes bërthamore, gjë që deri më tani është refuzuar nga Irani, tha të hënën i dërguari special amerikan për Iranin.
Duke folur me gazetarët në Paris, Robert Malley këmbënguli se Shtetet e Bashkuara do ta linin çelur derën për rifillimin e diplomacisë “kur dhe nëse” do të vijë momenti, por se tani për tani Uashingtoni do të vazhdojë politikën e sanksioneve dhe presionit.
Bisedimet për të rikthyer një marrëveshje të vitit 2015 mes Iranit dhe fuqive botërore kanë ngecur që nga shtatori. Shtetet perëndimore akuzojnë Iranin se po bën kërkesa të paarsyeshme, pasi të gjitha palët duket se janë pranë arritjes së një marrëveshjeje.
“Nëse këto negociata nuk po ndodhin, është për shkak të pozicionit të Iranit dhe të gjithçkaje që ka ndodhur që nga shtatori”, tha zoti Malley.
“Përqëndrimi ynë nuk është tek një marrëveshje për të cilën nuk ka përparim, por tek ajo çfarë po ndodh në Iran… një lëvizje popullore dhe një shtypje brutale të protestuesve nga regjimi. Është shitja e dronëve luftarakë për Rusinë nga Irani… dhe lirimi i pengjeve tona”, tha ai duke iu referuar tre shtetasve amerikanë që mbahen në Iran.
Protestat antiqeveritare filluan në shtator pas vdekjes së 22-vjeçares Mahsa Amini ndërsa mbahej në paraburgim nga policia. BE-ja, Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe Britania kanë vendosur sanksione për shkeljet e të drejtave të njeriut në Iran, si dhe për shitjen e dronëve Moskës.
Irani ka vazhduar programin e tij bërthamor, duke instaluar qindra centrifuga më të avancuara. Makineritë pasurojnë uraniumin, duke rritur aftësinë e vendit për ta pasuruar atë shumë më tepër se kufizimet e përcaktuara nga marrëveshja e 2015-ës. Irani filloi t’i shkelte këto kushte në vitin 2019 si përgjigje ndaj një tërheqjeje të Shteteve të Bashkuara në vitin 2018, nën drejtimin e Presidentit të atëhershëm Donald Trump.
Marrëveshja e vitit 2015 kufizoi aktivitetin e pasurimit të uraniumit të Iranit për ta bërë më të vështirë për Teheranin zhvillimin e armëve bërthamore, në këmbim të heqjes së sanksioneve ndërkombëtare. Irani mohon se dëshiron të ketë armë bërthamore.
Zoti Malley nuk pranoi të japë një kornizë kohore se për sa kohë do ta pranonte Uashingtoni status quo-në, por tha se nëse diplomacia dështon, Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të përdorin mjete të tjera.
“Nëse Irani merr iniciativën për të kapërcyer pragjet e reja në programin e tij bërthamor, atëherë padyshim që përgjigja do të jetë e ndryshme dhe e koordinuar me aleatët tanë evropianë”, tha zoti Malley, pa dhënë detaje.
“Nuk ka magji me të cilën do të gjejmë një formulë të re”, tha ai. Diplomatët thanë se zoti Malley do të zhvillonte bisedime në Paris me homologët francezë, gjermanë dhe britanikë të martën./VOA
Top Channel