Një raport i Avokatit të Popullit tregon se nga 700.000 individë që kanë nevojë për asistencë, 184.000 janë fëmijë.

Nga ky grupim, plot 31.000 janë fëmijë jetimë. Këta mijëra fëmijë në nevojë përballen me ekstremin e përpjekjeve rraskapitëse për mbijetesë. Një pjesë shumë e vogël e tyre marrin asistencë sociale, e cila në masën e përfitimit të saj mbulon vetëm 5% të nevojave minimale të jetës së tyre.

Shpërndarja e burimeve financiare në mbështetje të të rinjve me shërbime, është e pamjaftueshme dhe nuk sjell ndryshime të qenësishme në pavarësimin e tyre.

Raporti i Avokatit të Popullit nënvizon se fëmijët që vijnë nga familjet e varfra dhe me status të dobët social, romët, fëmijët jetimë dhe ata pa kujdesin prindëror, kanë qenë dhe janë viktima të lypsarisë, si rezultat i abuzimit permanent të prindërve të tyre apo tutorëve. Kjo shtresë shfytëzohen maksimalisht, dhe mbeten me trauma të rënda të aspektit psiko-emocional. Për rrjedhojë, shpesh ata janë të kërcënuar nga rreziku potencial i shëndetit fizik dhe atij mendor.

“Ne kemi raportuar në komunitetin e të drejtave të fëmijëve në Gjeneve, që është prej vitesh po e njëjta. Kjo nuk do të thotë që nuk jemi zhvilluar, nuk jemi në gjendjen e viteve 90, por jo si Çekia, etj. Rasti I Babrusë-Institucionet rezidenciale vijojnë të mbajnë në këmbë atë që në diktaturë quhej kujdes ndaj fëmijëve. Por është modeli më i gabuar i kujdesit ndaj fëmijëve. Pas viteve 60 ka modele të reja që nuk janë më të reja por gjithë bota i zbaton, kanë kaluar nga kujdesi rezidencial në familje përkujdesëse, në familje adoptuese”, u shpreh Altin Azizaj, Drejtor i Qendrës për të Drejtat e Fëmijëve.

“Pyetja vjen nga përkushtimi, dashuria dhe humanizmi që kanë këta specialistë për profesionin. Siç e dimë të gjithë fëmija së pari do dashurinë, dhe dashuria pastaj derivon gjithë aktet e tjera. Që janë kujdesi për të ngrënë mirë, për të patur shëndet të mirë, për të patru jetë të mirë në të ardhmen, edukim të mirë, etj. Unë mendoj që strategjia është ok, është e shkëlqyer, por a janë njerëzit e duhur në vendin e duhur? Ne kemi eksperienca të këqija’”, tha Sevim Arbana, Aktiviste e Shoqatës “Në dobi të gruas shqiptare”.

Ekspertët sugjerojnë se vëmendja duhet të vijë nga institucionet. Ajo që duhet sipas tyre është vullneti i vendimmarrësve dhe buxheti i domosdoshëm. Ajo që vihet re është edhe mungesa e një presioni nga shoqëria në tërësi për të mbrojtur shtresën e jetimëve, që mund të konsiderohet shtresa më e pambrojtur dhe e rrezikuar.

“Situata është e menaxhueshme. Është thjesht mungesa e vëmendjes përderisa nuk ka ndodhur në shtëpinë e këtyre deputetëve, apo në shtëpinë e kryeministrit apo të ndonjë ministri. Vetëm atëherë e kuptojnë që paska një problem këtu dhe duhet të bëjmë diçka”, u shpreh Altin Azizaj, Drejtor i Qendrës për të Drejtat e Fëmijëve.

“Ka fëmijë që dalin analfabetë funskionale. Në këtë institucion nuk janë vetëm problemet financiare të administrimit, por janë probleme thelbësore që kanë të bëjnë me formimin dhe edukimin e fëmijëve dhe me personalitetin e tyre se çfarë do të bëhen nesër. Ata dalin nga këto institucione të deformuar. Nuk janë në gjendje të vetveprojnë për të marrë përsipër përgjegjësitë e tyre. Kjo është një sfidë e madhe jo vetëm e institucioneve që merren me këtë punë, por të gjithë operatorëve institucionalë që duhet të ofrojnë shërbimet maksimale për këta fëmijë që nesër të bëhen njerëz të aftësuar për tu integruar në jetën komunitare”, u shpreh, Ilir Çumani, Drejtori Përgjithshëm i institutit kombëtar i integrimit të jetimëve shqiptar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA