Ndalohet i dyshuari për vrasjen e tre sportistëve në universitetin e Virxhinias

14/11/2022 21:10

Organet e rendit njoftuan të hënën se kanë ndaluar një student që dyshohet të ketë vrarë tre pjesëtare të ekipit të futbollit amerikan të Universitetit të Virxhinias, ndërsa ata po ktheheshin në qytetin e studentëve, pas një ndeshje në Uashington.

Incidenti, ku u plagosën edhe dy studentë, njëri prej tyre në gjendje të rëndë, ndodhi pranë një vendi-parkimi, duke bërë që i gjithë qyteti i studentëve të vihej në alarm gjatë gjithë natës së të dielës ndërsa policia kërkonte autorin e sulmit me armë.

Gjatë një konference shtypi mëngjesin e së hënës, policia njoftoi se kishte ndaluar të dyshuarin 22 vjeçar, Christopher Darnell Jones Jr.

Të shtënat ndodhën pak pas orës 10:15 të mbrëmjes të dielën ndërsa një autobus i mbushur me studentë po kthehej nga një ndeshje në kryeqytetin e vendit, Uashington.

Presidenti i Universitetit të Virxhinias, Jim Ryan, tha se autoritetet nuk e kishin të qartë motivin ose rrethanat mbi të cilat u kryen vrasjet.

“I gjithë komuniteti universitar është i pikëlluar këtë mëngjes. Më është thyer zemra për viktimat dhe familjet e tyre dhe për të gjithë ata që i njohën dhe i donin ata”, tha zoti Ryan.

Policia ndërmori një aksion derë më derë në të gjitha godinat e qytetit studenti ndërsa konviktorët qëndruan të mbyllur mbi 12 orë. Shefi i policisë në qytetin e studentëve, Timothy Longo Sr., tha se i dyshuari për vrasjet, Christopher Darnell Jones Jr., më parë kishte qenë pjestar i ekipit të futbollit./Voa

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA