Mediat italiane: Tirana shndërron mazoleumin e Hoxhës në një shkollë teknologjie

14/11/2022 19:03

Nismat për ta shndërruar Tiranën në qendrën më të madhe të inovacionit në Ballkan, ka tërhequr vëmendjen dhe të mediave italiane.

E përditshmja italiane, ilfattoquotidiano.it, shkruan se Tirana nën drejtimin Erion Veliaj synon që të kthehet së shpejti në Tel-Avivin e Ballkanit. Për këtë ajo sjell transformimin e Piramidës që dikur ka qenë mazoleumi i diktatorit Hoxha në një shkollë teknologjie që do t’u ofrojë adoleshentëve të moshës 12 deri në 18 vjeç akses në aftësitë dixhitale, më qëllim për t’u mundësuar atyre një të ardhme punësimi. Ilfattoquotidiano nënvizon se kryeqyteti shqiptar po përpiqet të bëjë kapërcimin e madh nga qyteti i call-centerave në atë të datacenter.

Përkthimi i plotë:

Kryebashkiaku Erion Veliaj: “Nuk do të jetë më qyteti i call centerave, por i “big data”. Do të trajnojmë 6 mijë të rinj në muaj”/ Nga Alex Corlazzoli – 13 nëntor 2022.

“Tirana nuk do të jetë më qyteti i call center-ave, por i “big-data”. Kryebashkiaku Erion Veliaj, 43 vjeç, i cili drejton Bashkinë e Tiranës që nga viti 2015 foli mbi të ardhmen e kryeqytetit shqiptar në ilfattoquotidiano.it. I diplomuar në shkenca politike, në Universitetin Shtetëror Grand Valley të Miçiganit, pasi u kthye në vendin e tij, ai punoi me organizatat humanitare në Kosovë, Amerikën Latine, Afrikë dhe tashmë ka zgjedhur t’i përkushtohet qytetit të tij.

Veliaj, i cili flet rrjedhshëm gjuhën italiane dhe njeh shumë kryebashkiakë të gadishullit, drejtuesin e ANCI personalisht dhe kryebashkiakun e Barit, Antonio De Caro, i ka idetë e qarta: “Tirana së shpejti do të bëhet Tel Avivi i Ballkanit”. Duket si një slogan i mirëfilltë, por mjafton thjesht të endesh nëpër qytet, për të kuptuar se drejtimi është pikërisht ai.

Në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, pak pasi kalon lumin e Lanës, ndodhet një piramidë; ishte muzeu i Enver Hoxhës, i ndërtuar në vitin 1988 me iniciativë të vajzës së diktatorit, si mazoleum kremtimesh. Në kohën e komunizmit, brenda tij ndodhej një statujë prej mermeri e udhëheqësit si edhe një koleksion dhuratash që ai kishte marrë.

Pas rënies së regjimit, fillimisht u kthye në një objekt publik, më pas privat, për të përfunduar më pas, i braktisur në duart e fëmijëve. Sot është një kantier. Piramida nuk u shkatërrua, por u çmontua për të ndërtuar shkollën më të madhe 2.0 në Ballkan. Falë Fondacionit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit (AADF) pas disa muajsh (inaugurimi është planifikuar për në pranverë) edhe në Tiranë do të gjallojë një qendër “Tumo”, e cila do t’u ofrojë adoleshentëve të moshës 12 deri në 18 vjeç akses në aftësitë dixhitale, më qëllim për t’u mundësuar atyre një të ardhme punësimi.

Hapësira të ngjashme tashmë ekzistojnë në Jerevan, Paris, Bejrut, Berlin, Lion, Moskë. Projekti i firmës holandeze të arkitekturës MVRDV synon të hapë strukturën dhe atriumin e saj të madh drejt qytetit, duke rinovuar edhe hapësirat e jashtme. Kjo është një pikë e përfshirë në plan, sepse “edhe nëse është e rrënuar dhe e braktisur – shpjegon studimi holandez – piramida u është shfaqur gjithmonë qytetarëve si një ndërtesë e mbyllur hermetikisht dhe e paarritshme. Kështu që, arkitektët kanë menduar tashmë për një ndërtesë transparente, e cila edhe në ditët me shi do të mbyllet vetëm nga struktura të mëdha xhami dhe me një atrium të brendshëm të madh e mikpritës brenda, një hapësirë e hapur me pemë dhe gjelbërim”.

Punëtorët po punojnë ditë e natë për të krijuar një fshat të vogël, të përbërë nga salla dhe studio, kafene dhe restorante. Këtu do të studiohen teknika të tilla si softueri, robotika, animacioni, muzika dhe filmi. “Do të kalojmë – shpjegon kryebashkiaku – nga trajnimi i një mijë fëmijëve në muaj, tek gjashtë mijë me teknologjitë e reja. Në këtë mënyrë do t’i ofrojmë një të ardhme të sigurt punësimi një brezi të tërë. Kur më pyesin se nga cili qytet frymëzohem, gjithmonë përgjigjem se Tirana nuk mund të jetë kurrë si Roma apo Athina, por mund të synojë të bëhet si kryeqyteti i Izraelit, që ashtu si edhe ne ka njohur dramën, por edhe krijimtarinë”.

Veliaj, i cili ndërmjet impenjimeve të shumta, rezervon çdo ditë një orë për të takuar fëmijët e shkollës, ata të fillores apo të gjimnazit, u kushton vëmendje edhe të më të vegjëlve: “Tek piramida do të trajnojmë adoleshentët, por në njëqind shkolla fillore kemi futur kurset e kodimit. Gjuhët e së ardhmes nuk do të jenë as italishtja, as shqipja, por do të jetë Java. Duhet të përgatitemi. Në vitet ‘90 arritëm të mbijetonim duke mësuar italisht, por tashmë duhet të jetojmë me dinjitet, duke u përgatitur për punët e reja”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA