Sali Berisha, së bashku me Ilir Metën mblodhi të shtunën mijëra protestues në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në një protestë që zgjati rreth tre orë.
Tubimi i 12 nëntorit ishte protesta e dytë kombëtare e thirrur nga Berisha, ndërkohë që takimi i radhës u la në Parlament, por pa caktuar datë.
Por, sa ndryshojnë protestat e PD-së që tashmë drejton Sali Berisha, krahasuar me protestat e së djathtës, në kohën kur drejtohej nga Lulzim Basha.
Pasi Luçiano Boçi shpalli sot kandidaturën për primaret në bashkinë e Elbasanit, gazetarja Elda Menga e pyeti se ku ndryshojnë protestat e sotme me ato të Bashës?
“Ku ndryshojnë protestat e PD-së së rithemeluar nga protestat e organizuara nga ish-kryetari i PD-së Lulzim Basha, i cili pasi i ftonte protestuesit në bulevard dhe bënin disa shëtitje, i përcillte në shtëpi. Këtë gjë duket se bëtë dhe ju në 12 nëntor”, pyeti gazetarja e Top Channel Boçin.
Deputeti theksoi se kauzat tashmë i përkasin qytetarëve.
“Ka një ndryshim shumë të madh sepse kauzat sot janë të qytetarëve, nuk shiten. Beteja do të jetë e ashpër deri në arritjet e objektivave.
Basha nuk është anatemuar se ka bërë protesta, por sepse kauza është lënë përgjysmë dhe është keqpërdorur, qytetarët janë keqpërdorur. Madhështia e protestave sot është meritë e organizatorëve dhe qytetarëve që i duan këto protesta”, tha demokrati.
Top Channel