Emigrantët/ Franca dhe Anglia firmosin marrëveshjen 72 milionë euro

14/11/2022 09:49

Ashtu sic ishte paralajmëruar, këtë të hënë Britania dhe Franca nënshkruan një marrëveshje me vlerë 72.2 milionë euro që do të ndalojë emigrantët e paligjshëm të kalojnë nëpër Kanalin Anglez.

“Është në interesin e qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar dhe asaj franceze që të punojnë së bashku për të zgjidhur këtë problem kompleks,” tha Sekretarja e Brendshme britanike Suella Braverman pas takimit me homologun e saj francez Gerald Darmanin në Paris.

Marrëveshja vjen pasi numri i emigrantëve që bëjnë kalimin e rrezikshëm me varka arriti një rekord të ri të dielën, më shumë se 40,000,sipas Ministrisë Britanike të Mbrojtjes. Më shumë se gjysma thuhet se vijnë nga Shqipëria, Afganistani dhe Irani.

Sipas marrëveshjes, Britania e Madhe do t’i paguajë Francës 72.2 milionë euro në periudhën 2022-2023. Në këmbim, Franca angazhohet të rrisë me 40% numrin e oficerëve që patrullojnë plazhet franceze.

Marrëveshja do të forcojë gjithashtu sigurinë në porte duke investuar në teknologjinë e mbikëqyrjes, dronët, ekipet e qenve zbulues, dhe helikopterët për të ndihmuar në zbulimin dhe parandalimin e kalimeve, si dhe duke mbështetur qendrat e pritjes dhe largimit në Francë për emigrantët.

Numri rekord i emigrantëve që tentojnë të hyjnë ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar ka bërë presion mbi kryeministrin e ri britanik për të gjetur një zgjidhje efektive dhe të shpejtë.

Në javët e fundit, zyrtarët e Mbretërisë së Bashkuar janë vënë nën kritika për mbipopullimin dhe kushtet e këqija në qendrat e emigrantëve .

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA