“Protestë kundër poshtërimit të shqiptarëve në Britani”; me këtë thirrje komuniteti shqiptar në Angli organizoi grumbullimin në Westminster Bridge, pranë parlamentit ne Londer.
Tubuesit flasin për retorikë në kufijtë e racizmit nga ana e sekretares së brendshme britanike Suela Braverman, e cila pohoi përpara ligjvënësve vetëm shqiptarët e mbërritur me gomonet e jo 11 nacionalitetet e tjera të rreth 40.000 personave që kanë zbarkuar këtë vit në brigjet angleze.
Nuk vonoi që jehona e fjalëve të saj të transformohej në media duke u pershkruar si një pushtim i mirëfilltë i vendit nga emigrantët e paligjshëm shqiptarë, duke ngritur më tej një stuhi të vërtetë të opinionit publik ndaj bashkëkombasve tanë në këtë vend. Protestuesit në Westminster Bridge, njerëz që punojnë e jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar, ngrihen kundër shënjestrimit politike dhe etiketimit të shqiptarëve si kriminelë.
Ermir Kola i lindur në Pukë ka hyrë ilegalisht në Britani me kamion me familjen kur ishte 11 vjec. Ai sot punon në një firmë ndërtimi si mbikqyrës i kujdesit ndaj klientit. Deklaratat e sekretares Braverman i konsideron poshtëruese për komunitetin shqiptar jo vetëm në Angli, por edhe në nëpër botë. Një video e tij në Tik Tok është bërë virale dhe është shpërndarë në internet nga një numër i madh shqiptarësh.
Mesazhi që shqiptarët duan të përcjellin me protestën e tyre në Londër, është se nuk janë kriminelë, por taksapagues të rregullt dhe kontribues në shoqërinë britanike.
Shumë pak pas deklaratave polemizuese të Braverman dhe përcaktimit të shqiptarëve nga ana e saj si kriminelë, Daily Mail intervistoi disa shtetas shqiptarë në banesat e tyre në Britani. Ata rrëfyen se arsyeja e vetme përse lenë Shqipërinë e niset drejt Anglisë është se kërkojnë një jetë më të mirë atje dhe paguajnë cdo detyrim të mundshëm në këtë vend, ndërsa këmbëngulin se nuk pretendojne prej tij asnjë përfitim të paligjshëm.
Top Channel