Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç, ka thënë se nuk beson se do të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Paris.

Një ditë më herët, Kurti, i cili po ashtu sot gjendet në Paris, tha se mund të ndodhë një takim me Vuçiçin.

Kurti dhe Vuçiçi po marrin pjesë në Forumin e Paqes, me ftesë të presidentit francez.

Vuçiç tha, gjithashtu, se presidentit francez ia ka përcjellë “zhgënjimin e popullit tonë në Kosovë e Metohi, sepse ajo që ishte premtuar nuk u realizua”.

“Nuk ka arsye për të qenë optimist me Prishtinën. Macronit i thashë se ne po kërkojmë vetëm targa neutrale ndaj statusit, siç është në marrëveshje”, tha Vuçiç.

Ai, po ashtu, deklaroi se i ka treguar presidentit francez se cilat janë kushtet për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës, pa treguar detaje.

“Por, ne nuk e dimë se çfarë do të ndodhë më pas”, ka shtuar Vuçiç, duke iu referuar kërkesës së Serbisë që Kosova të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Zyrtarë nga Kosova dhe Serbia kanë udhëtuar drejt Francës, në mes të krizës në veri të Kosovës, pasi pjesëtarët e komunitetit serb dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës.

Qeveria e Kosovës më 1 nëntor nisi të zbatojë planin e saj për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe, me gjithë insistimin e mëhershëm të komunitetit ndërkombëtar që ta shtyjë këtë plan.

Kosova kërkon që ato të zëvendësohen me targa RKS, apo Republika e Kosovës. Plani i saj parashihet të zbatohet në tri faza: e para, qortimi i shoferëve; e dyta, dënimi i shoferëve me 150 euro gjobë, dhe e treta, shpërndarja e targave provuese.

Shumica e serbëve në veri, të mbështetur nga Beogradi zyrtar, e kundërshtojnë planin, duke insistuar në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.

Në shenjë kundërshtimi ndaj zbatimit të tij, serbët e veriut kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës.

Me 11 nëntor, me Kurtin dhe Vuçiçin në Paris, në takime të ndara, pritet të takohet edhe shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA