Shkurtimet e mëdha në industrinë e teknologjisë në SHBA ka lënë pa punë mijëra punonjës në Silicon Valley, një prirje që u përforcua shumë të mërkurën nga Meta Platforms, kompania mëmë e Facebook-ut, e cila njoftoi se do të eliminonte 13% të fuqisë të saj punëtore, më shumë se 11,000 vende pune.
Njoftimi pasoi pushimet e mëdha nga puna në firmat e tjera të teknologjisë, së fundmi Twitter-i, i cili po ristrukturohet pas marrjes në pronëse nga themeluesi i Teslës, Elon Musk, si dhe firma Salesforce dhe gjigandi i mediave sociale Snap, Inc.
Firma të tjera të mëdha të teknologjisë, duke përfshirë Apple, Amazon dhe Alphabet, kompania mëmë e Google, kanë thënë se do të ngadalësojnë ose kufizojnë punësimet e reja.
Duke shpallur shkurtimet e vendeve të punës, themeluesi i Facebook-ut dhe drejtori ekzekutiv i Meta-s, Mark Zuckerberg pranoi se kishte bërë një gabim në gjykim duke menduar se rritja e shpejtë e tregtisë në internet që përkoi me fillimin e pandemisë COVID-19 sinjalizoi një ndryshim të përhershëm në sjelljen e konsumatorëve.
“Dua të marr përgjegjësi për këto vendime dhe për mënyrën se si arritëm këtu”, tha zoti Zuckerberg në një deklaratë të publikuar të mërkurën. “Unë e di se kjo është e vështirë për të gjithë, dhe më vjen keq veçanërisht për ata që janë prekur”.
Reagon Tregu
Lëvizja e kompanisë Meta për të ulur kostot u duartrokit nga shumë investitorë, disa prej të cilëve i kanë bërë thirrje kompanisë t’i kushtojë më shumë vëmendje biznesit të saj bazë.
Brad Gerstner, themeluesi i firmës Altimeter Capital dhe një mbështetës i zëshëm i ndryshimeve në Meta, përdori Twitter-in për të shprehur mbështetjen e tij për njoftimin e zotit Zuckerberg të mërkurën në mëngjes.
Duke e quajtur lëvizjen një “hap të parë të rëndësishëm”, ai shkroi, “Inovacioni fiton kur kompanitë janë të shëndetshme dhe të përshtatshme. Zhvendosja e mendësisë kulturore nga epoka e rrezikshme e parave të tepërta/falas do të përcaktojë brezin e ardhshëm të fituesve”.
Çmimi i aksioneve të Metës në bursë, i cili kishte rënë nga më shumë se 345 dollarë nëntorin e kaluar në nën 89 dollarë javën e kaluar, mori një rritje nga njoftimet. Pasi u mbyllën me 96,48 dollarë të martën, aksionet e kompanisë arritën në 101,47 dollarë.
Pushime të tjera nga puna
Punonjësit që largohen nga kompania Meta dhe kërkojnë punë të tjera në sektorin e teknologjisë do të hyjnë në një mjedis sfidues, duke pasur parasysh largimet e papritura nga puna të mijëra kolegëve të tyre në të gjithë sektorin.
Javën e kaluar, Twitter-i njoftoi se do të pushonte nga puna rreth 3,700 njerëz, ose afërsisht gjysmën e fuqisë punëtore. Pushimet nga puna ndodhën në zyrat e Twitter-it në të gjithë botën, por ishin të përqendruara në Shtetet e Bashkuara. Kompania thuhet se u ka kërkuar disa prej punonjësve të pushuar të kthehen, por shumica dërrmuese pritet të mbeten të pushuar nga kompania.
Kompania Salesforce me bazë në San Francisko njoftoi të hënën se do të pushonte nga puna rreth 2,500 njerëz. Ky njoftim erdhi vetëm disa javë pasi konkurrenti më i madh i kompanisë, gjiganti Microsoft, eliminoi gati 1000 vende pune në tetor.
Pra po vazhdon një prirje që është përshpejtuar që nga fillimi i këtij viti, pasi një numër firmash të tjera të teknologjisë, përfshirë Seagate, Snap, Intel, Netflix, Shopify, Lyft dhe të tjera kanë shkurtuar vendet e punës ose kanë kufizuar punësimin.
Këndvështrim nga një perspektivë tjetër
Ligjvënësi, Ro Khanna, anëtari demokrat i Kongresit i cili përfaqëson një rajon që përfshin segmente të mëdha të “Silicon Valley”, u pyet gjatë një interviste me televizionin “Bloomberg” se cili do të ishte ndikimi nga pushimi i mijëra njerëzve nga puna tek zona që ai përfaqëson.
Zoti Khanna tha se nuk duhet harruar se në rajonin e tij punojnë kompani që së bashku kanë në treg një vlerë prej 10 trilion dollarësh. Ai tha se rajoni do e përballojë situatën, ndonëse i duhet një rimëkëmbje më e gjerë ekonomike.
“Ne jemi treguesi kryesor se po ndodh një ngadalësim në ekonomi ”, tha zoti Khanna.
“Por nuk kam asnjë dyshim se këto kompani do e marrin veten shpejt”.
Mbajtësit e Vizave
Ndikimi i largimeve nga puna do të jetë veçanërisht i dhimbshëm për emigrantët që punojnë në firmat e teknologjisë amerikane. Shumë prej tyre kanë viza “H-1B”, që do të thotë se aftësia e tyre për të qëndruar në SHBA varet nga të qënurit i/e punësuar në një kompani që është e gatshme të sponsorizojë aplikimet e tyre për viza.
Mbajtësit e vizave “H-1B”, nëse largohen nga puna, në përgjithësi përballen me një afat 60-ditor për të gjetur një punë të re. Nëse nuk e bëjnë këtë, atyre u kërkohet të largohen nga vendi.
Sipas të dhënave të Shërbimeve të Shtetësisë dhe Imigrimit të Shteteve të Bashkuara (USCIS), shumica dërrmuese e përfituesve të vizave “H-1B” punojnë në fushën e teknologjisë. Në vitin 2019, agjencia njoftoi se nga 387,492 mbajtës të kësaj lloj vize, profesionet e të cilëve diheshin, 66% punonin në “fusha të lidhura me kompjuterin”.
Vizat “H-1B” lëshohen në mënyrë disproporcionale për qytetarët e Indisë, të cilët në vitin 2019 mbanin 71.7% të këtyre vizave.
Vendi tjetër prej nga vijnë një numër i madh aplikuesish për këtë lloj vize janë qytetarët e Kinës, të cilët në vitin 2019 mbanin 13% të vizave “H-1B”. Kanadaja doli e treta me 1.2% dhe shtetasit e asnjë vendi tjetër nuk zotëronin më shumë se 1% të totalit.
Në deklaratën e tij publike, zoti Zuckerberg pranoi se “ky zvogëlim i fuqisë punëtore është veçanërisht i vështirë nëse je në SHBA me vizë”.
Ai tha se Meta do të ofronte këshilla nga specialistë të imigracionit për të ndihmuar ata që kanë nevojë.
Pushimet nga puna në firmat e teknologjisë me seli në “Silicon Valley” kanë bërë jehonë në mbarë botën, veçanërisht në Twitter, ku stafi në disa zyra ndërkombëtare u largua masivisht nga puna.
“Bloomberg News” raportoi se Twitter pushoi nga puna rreth 90% të punonjësve të tij në Indi. Në Ganë, vendi i zyrës së vetme të kompanisë në kontinentin afrikan, pothuajse të gjithë 20 punonjësit e kompanisë morën njoftim për largim nga puna.
Meta ka disa qindra punonjës në Indi, të shpërndarë në zyrat e Facebook-ut, Instagram-it si dhe WhatsApp, dy kompani të tjera të rrjeteve sociale që zotëron. Deri të mërkurën, ishte e paqartë se si do të ndikonin pushimet nga puna tek personeli i vendosur në atë vend.
Top Channel