Parlamenti Evropian votoi për financimin e investimeve që do të ndihmojnë Bashkimin Evropian të reduktojë importet ruse të energjisë, duke përdorur fondet nga fondi i rindërtimit të periudhës së bllokimit Covid-19.
Ligjvënësit e BE-së mbështetën planet e Komisionit Evropian për të financuar projekte të energjisë së rinovueshme, por edhe investime në lëndët djegëse fosile si gazi natyror i lëngshëm (LNG), me qëllim zëvendësimin e burimeve ruse të energjisë.
Në maj, Komisioni njoftoi planet për të mbledhur deri në 300 miliardë euro (303 miliardë dollarë) kredi dhe grante për të rritur investimet në energjinë e rinovueshme si një përgjigje afatgjatë ndaj rritjes së çmimeve të energjisë në BE pasi Rusia pushtoi Ukrainën. Sipas propozimit të Komisionit, pjesa më e madhe e shumës – deri në 225 miliardë euro – do të jenë para që nuk mblidhen nga fondi ‘’Covid-19’’ i BE-së.
Ligjvënësit e BE-së ranë dakord gjithashtu për një grant shtesë prej 20 miliardë eurosh (20 miliardë dollarë), megjithatë ata kishin pikëpamje të ndryshme nga krahu ekzekutiv i BE-së dhe shtetet anëtare se nga erdhën këto para.
Sipas planeve të parlamentit, financimi prej 20 miliardë eurosh pritet të vijë kryesisht nga shitja e licencave të emetimit të karbonit për industritë nën Sistemin e Tregtimit të Emetimeve të BE-së (ETS) përpara afatit. I krijuar në vitin 2005 dhe i zgjeruar së fundmi, ETS lejon sektorët industrialë shumë ndotës të blejnë leje për emetimet që prodhojnë.
Top Channel