Zgjedhjet në SHBA pas një fushate të ashpër politike

08/11/2022 17:02

Një sezon i trazuar zgjedhjesh në Amerikë, që u shoqërua sërish nga ndasitë e mëdha politike dhe që ngriti pikëpyetje lidhur me angazhimin ndaj një të ardhmeje demokratike përfundon të martën, ndërsa amerikanët votojnë në zgjedhjet e para kombëtare të presidencës së demokratit Joe Biden.

Demokratët po përgatiten për rezultate zhgënjyese, të shqetësuar se mund të humbasin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe atë të Senatit, që dikur mendonin se do ta ruanin shumicën e vogël që kishin. Guvernatorët aktualë të partisë demokrate në shtetet si Uiskonsini, Miçigani dhe Nevada po ndeshen gjithashtu me rivalë seriozë republikanë.

Gjatë kthimit në Shtëpinë e Bardhë të hënën mbrëma pas një tubimi të fundit fushate, Presidenti Biden tha se ai mendonte se demokratët do ta mbanin Senatin, por e pranoi se ruajtja e shumicës në “Dhomën e Përfaqësuesve është më e vështirë”.

Partia Republikane ishte optimiste për shanset e saj, duke thënë se mesazhi i saj i përqendruar tek ekonomia, çmimet e karburantit dhe krimi do të tërhiqte votuesit në një kohë të shtimit të inflacionit dhe dhunës në rritje. Republikanët janë të bindur se zemërimi që rrjedh nga vendimi i Gjykatës së Lartë për të hequr të drejtën kushtetuese të grave për abort është zbehur dhe tradicionalisht zgjedhjet për Kongresin që përkojnë me mesin e mandatit të një presidenti janë bërë një lloj vlerësimi për punën e tij.

“Do të jetë një referendum mbi paaftësinë e kësaj administrate”, tha ligjvënësi republikan i Minesotës, Tom Emmer, i cili po drejton përpjekjet e Partisë Republikane për të rimarrë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve.

Rezultatet mund të kenë një ndikim të thellë në dy vitet e fundit të mandatit të Presidentit Biden. Kontrolli nga republikanët qoftë edhe i njërës dhomë të Kongresit, do ta linte zotin Biden të pambrojtur ndaj hetimeve mbi familjen dhe administratën e tij, ndërsa ai do të përpiqej të mbronte arritjet e tij politike, duke përfshirë ligjin për infrastrukturën, si dhe atë të kujdesit shëndetësor dhe shpenzimet për çështjet sociale. Republikanët gjithashtu mund ta bëjnë më të vështirë rritjen e tavanit të borxhit dhe mund të kufizojnë mbështetjen për Ukrainën në luftën e saj kundër Rusisë.

Nëse republikanët do të arrijnë fitore të thellë, mund të shtohet trysnia ndaj zotit Biden për të mos vënë kandidaturën në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024. Ish-presidenti Donald Trump, ndërkohë, mund të përpiqet të përfitojë nga një paraqitje e fortë e Partisë Republikane, duke shpallur zyrtarisht kandidaturën e tij në Florida javën e ardhshme.

Zgjedhjet për Kongresin vijnë në një moment të paqëndrueshëm për Amerikën, e cila doli këtë vit nga pandemia e rëndë e COVID-19 dhe tani po përballet me sfida të forta ekonomike. Gjykata e Lartë hoqi të drejtën kushtetuese për abortin, që ishte në fuqi për pesë dekada.

Në zgjedhjet e para kombëtare, që nga sulmi i 6 janarit të vitit 2021 ndaj Kapitolit, e ardhmja demokratike e vendit është në pikëpyetje. Disa njerëz që morën pjesë, ose ishin në afërsi të sulmit vdekjeprurës ndaj Kapitolit, pritet të fitojnë në zgjedhjet e së martës, madje edhe në ato për postin e anëtarit të Dhomës së Përfaqësuesve. Një numër i kandidatëve republikanë për Sekretar Shteti, përfshirë ata që konkurrojnë në Arizona, Nevada dhe Miçigan, kanë refuzuar të pranojnë rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020. Nëse fitojnë të martën, ata do të menaxhojnë zgjedhjet e ardhshme presidenciale në shtetet që janë shpesh kyçe në garat presidenciale.

Demokratët e pranojnë se ka një prirje kundër tyre në këto zgjedhje. Me përjashtime të rralla, partia e presidentit humbet vende në zgjedhjet që përkojnë me mesin e mandatit të tij të parë. Mbështetja e ulët për punën e Presidentit Biden i vështirëson më shumë përpjekjet e demokratëve për të fituara garat e ngushta.

Sipas një sondazhi të muajit tetor nga agjencia e lajmeve Associated Press dhe Qendra për Studimin e Çështjeve Publike-NORC, vetëm 43% e amerikanëve thonë se mbështesin punën e Presidentit Biden. Në të njëjtin sondazh, vetëm 25% thanë se vendi po shkon në drejtimin e duhur.

Megjithatë, aleatët e Presidentit Biden kanë shprehur shpresën se votuesit do të refuzojnë republikanët që kanë kontribuar në krijimin e një mjedisi ekstrem politik.

“Mendoj se ajo që ne po shohim tani është vetëm një parti me busull morali”, thotë Cedric Richmond, ish këshilltar i lartë i Presidentit Biden në Shtëpinë e Bardhë që tani punon në Komitetin Kombëtar Demokrat. “Dhe një parti që dëshiron të rrëmbejë pushtetin”, shtoi ai.

Ky është një mesazh tërheqës për 49 vjeçarin Kevin Tolbert, i cili punon dhe jeton në Southfield të Miçiganit. Ai planifikon të mbështesë kandidatët demokratë mes shqetësimeve për të ardhmen e demokracisë.

“Është diçka që duhet mbrojtur dhe ne e mbrojmë atë (demokracinë) duke votuar, duke mbështetur vendin tonë. Mendoj se është shumë e rëndësishme që ta mbrojmë atë, sepse ne mund të përfundojmë në situata të ngjashme me ato që i kemi parë në të kaluarën, diktatorë e të tjerë. Ne nuk kemi nevojë për këtë”, thotë zoti Tolbert.

Por në Merilend, ku demokratët kanë një nga shanset e tyre më të mira për të rimarrë postin e guvernatorit të mbajtur nga republikanët, Shawn Paulson thotë se kishte “shumë pikë-pyetje, por jo hetime të mjaftueshme” për rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020. “Nuk duhet të jetë një gjë negative ose e paligjshme në asnjë mënyrë të flasësh për atë që do të bësh për të përmirësuar sigurinë”, tha zoti Paulson, një 45-vjeçar që drejton degën e Partisë Republikane në Qarkun e Kentit.

Zyrtarët e zgjedhjeve federale dhe shtetërore dhe prokurori i përgjithshëm i emëruar nga vetë zoti Trump, kanë thënë se nuk pati prova të besueshme që tregojnë se zgjedhjet e vitit 2020 ishin të manipuluara. Akuzat e ish-presidentit për manipulim të zgjedhjeve janë mohuar edhe nga gjykatat e vendit, duke përfshirë edhe gjyqtarë të emëruar nga vetë zoti Trump.

Në zgjedhjet e së martës, votuesit amerikanë do të vendosin për tridhjetë e katër vende në Senat dhe demokratët i kanë përqendruar përpjekjet për të ruajtur kontrollin në Pensilvani, Xhorxhia, Uiskonsin dhe Arizona. Garat në këto shtete ndoshta do të vendosin se cila parti do të kontrollojë Senatin, i cili aktualisht është i ndarë 50 me 50, me Nënpresidenten demokrate Kamala Harris që ka votën përcaktuese. Demokratët shpresojnë të fitojnë në garat për Senatin në shtetet e Ohajos dhe Karolinës së Veriut, ndërsa republikanët besojnë se mund të fitojnë ndaj senatorëve demokratë në Nevada dhe ndoshta në Nju Hempshër.

Të martën votuesit do të zgjedhin tridhjetë e gjashtë guvernatorë shtetesh. Demokratët i kanë përqendruar përpjekjet për të ruajtur postet e guvernatorit në Miçigan, Uiskonsin dhe Pensilvani. Këto tre shtete janë kritike për zgjedhjet presidenciale, legjislaturat e tyre kontrollohen nga republikanët dhe kandidatët republikanë për guvernatorë, kanë mbrojtur gënjeshtrat për manipulim zgjedhjesh të filluara nga zoti Trump në vitin 2020.

Fitoret e republikanëve në garat për guvernatorë mund të bëjnë që shtetet të miratojnë ligje më të ashpra votimi dhe ndoshta edhe të refuzojnë të bllokojnë përpjekjet për mohimin e rezultatit të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024, nëse zoti Trump, ose ndonjë kandidat tjetër republikan, i humbet ato.

Mes parashikimeve për fitore të republikanëve, demokratët shpresojnë se aborti mund të aktivizojë bazën e tyre dhe do të tërheqë votuesit e pavarur e të pavendosur, që janë të zemëruar nga shfuqizimi i vendimit Roe kundër Wade.

“Njerëzit e kuptojnë se kjo liri themelore është hequr”, thotë Alexis McGill Johnson, presidente e organizatës “Planned Parenthood Federation of America”, e cila ka shpenzuar 150 milionë dollarë për të mobilizuar votuesit “që zakonisht nuk votojnë” në zgjedhjet për Kongresin që përkojnë me mesin e mandatit të Presidentit.

“Ata e shohin se kjo është një çështje ekonomike, një çështje e kujdesit shëndetësor, një çështje e lirisë”, shtoi zonja McGill Johnson. “Dhe ata janë të zemëruar.”

Megjithatë, Presidenti Biden përballet me mundësinë e drejtimit të një Uashingtoni të ndarë. Ndërsa po kthehej nga një tubim fushate në mbështetje të kandidatit demokrat për guvernator në Merilend, Wes Moore, zoti Biden u pyet se cili do të ishte realiteti i tij i ri, nëse Kongresi kontrollohet nga republikanët. Ai u përgjigj duke thënë: “Më i vështirë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA