Disa vajza u mbajtën si skllave në mes të Zvicrës për 16 vite nga një familje shqiptare e Kosovës.
Babai dhe katër djemtë do të dalin para gjykatës rajonale të Moutier, sipas Blick. Sipas medias zvicerane, ata kanë marrë në Zvicër vajzat nga mosha 14 deri në 17 nga Shqipëria për t’u martuar.
Për një dekadë e gjysmë, ata i kanë mbajtur të mbyllura dhe abuzonin me vajzat.
Viktima e parë u dërgua në Zvicër nga Shqipëria në vitin 2003. 17-vjeçarja e atëhershme e njihte burrin e saj vetëm nga fotot, ndërsa ishte detyruar të martohej.
Prindërve të së resë iu premtuan se vajza e tyre do të kishte një jetë më të mirë në Zvicër. Një vajzë tjetër ishte vetëm 14 vjeç, ndërsa jetonte në varfëri dhe sipas hetuesve, prindërit të saj ia shitën familjes nga Kosova për një shumë prej 300 eurosh.
Gratë u izoluan dhe u kërcënuan me vdekje
Jeta gjoja më e mirë doli shpejt të ishte një kurth. Sipas aktakuzës, babai Albrim F. 65 vjeç i udhëzoi djemtë e tij saktësisht se si të silleshin me “gratë” e tyre: me dhunë brutale fizike dhe psikologjike. Gratë janë rrahur, poshtëruar, kërcënuar me vdekje, izoluar dhe dhunuar vazhdimisht nga anëtarët e familjes.
“Më shumë se 20 herë e ka goditur me brez”, thuhet në aktakuzën e njërit prej të pandehurve.
“Edhe pse ishte shtatzënë, ai e ka rrahur nusen deri sa është gjakosur dhe i ka shtrënguar fytin me të dyja duart”. Njëra prej viktimave duhej t’i lante këmbët vjehrrit dhe kunatit çdo mbrëmje.
Gratë rrallë lejoheshin të dilnin vetëm nga banesa dhe nuk kishin pothuajse asnjë kontakt me familjet e tyre në shtëpi. Ato duhej të bënin punët e shtëpisë nga mëngjesi në mbrëmje.
Më në fund viktimat janë në një vend të sigurt
Avokati Dominic Nellen përfaqëson dy nga gratë në gjykatë. “Gratë janë të mbrojtura nga gjyqësori. Janë në një vend të sigurt”, thotë ai për Blick.
Avokati nuk ka një koment për dhjetë fëmijët që kanë lindur nga to.
“Ato kanë ardhur të mitura, duke kaluar përmes kufirit të gjelbër. Ato duhej të ecnin nëpër pyll gjithë natën dhe më pas ata u përdhunuan nga burrat e tyre menjëherë pas mbërritjes. Kjo i theu këto gra”, tha ai.
Për Nellen është e qartë: pas sjelljes çnjerëzore qëndron e drejta zakonore mesjetare shqiptare e kanunit. Të gjitha fijet u bashkuan me kreun e klanit Albahrim F.
“Është një klan i madh familjar me sundimtar patriarkal vjehrrin. Ishte në qendër, jepte urdhrat”, tha ai.
Të pandehurit mohojnë çdo faj
Në vitin 2019, gratë më në fund arritën të arratiseshin, 16 vjet pasi viktima e parë u soll në Zvicër. Aktakuza tregon gjithashtu se asnjë nga të akuzuarit nuk ka kaluar më shumë se një ditë pas hekurave.
“Burrat mohojnë të kenë kryer ndonjë gjë të paligjshme”, thotë avokati i viktimave.
Të akuzuarit po përballen me dënime, ndër të tjera, për trafikim njerëzor, martesë të detyruar, lëndim fizik, shtrëngim, përdhunim dhe akte seksuale me të mitur.
Dënimi i kërkuar do të shpallet vetëm në gjyq. Një avokat i njërit prej djemve thotë për Blick se ai pretendon për lirim.
Top Channel