Sipas një studimi, bregdeti izraelit është i ndotur me mbi dy tonë mikroplastikë.
“Plazhet e Tel Avivit dhe Hadera janë më të goditurit. Rezultatet janë alarmante. Në dritën e rezultateve, kontakti i dëmshëm me mikroplastikën është praktikisht i pashmangshëm”, njoftoi Universiteti i Tel Avivit.
Burimet e ndotjes janë ambalazhet e ushqimeve, produktet plastike të disponueshme dhe rrjetat e peshkimit.
Studiuesit e Universitetit të Tel Avivit studiuan nivelin e ndotjes përgjatë bregdetit së bashku me Qendrën e Kërkimeve Mesdhetare të Izraelit. Mostrat janë marrë nga gjashtë plazhe midis Haifa dhe Ashkelon. Studimi u botua gjithashtu në numrin e tetorit të revistës ”Marine Pollution Bulletin”. Andrey Ethan Rubin, një nga studiuesit e përfshirë në studim tha se:
“Kushtet mjedisore e zbërthejnë ngadalë këtë plastikë në grimca më të vogla. Sa më të vogla të jenë këto grimca, aq më e vështirë është largimi i tyre nga mjedisi dhe aq më të rrezikshme janë për mjedisin dhe shëndetin e njeriut”.
Rikujtojmë, se ndotja mikroplastike është zbuluar për herë të parë në gjakun e njeriut, ku shkencëtarët kanë zbuluar grimcat e vogla në pothuajse 80% të njerëzve të testuar. Zbulimi tregon se grimcat mund të udhëtojnë nëpër trup dhe mund të vendosen në organe.
Ende nuk dihet ndikimi në shëndet. Studiuesit janë të shqetësuar pasi mikroplastika shkakton dëme në qelizat njerëzore në laborator dhe grimcat e ndotjes së ajrit tashmë dihet se hyjnë në trup dhe shkaktojnë miliona vdekje të hershme në vit.
Së fundmi, gjithashtu një studim shqetësues për foshnjat ka zbuluar se ato kanë 15 herë më shumë grimca plastike në trupin e tyre se sa të rriturit. Mikroplastikat janë copa të vogla plastike me madhësi më të vogël se pesë milimetër, me trashësinë e një monedhe dhe përdoren në industri të ndryshme, por gjithashtu mund të krijohen kur objektet plastike prishen./ Top Albania Radio
Top Channel