Dhjetëra mafiozë siçilianë dhe bashkëpunëtorët e tyre nën petkun e zyrtarëve u dënuan me vite të tëra burg në një gjyq historik që tregoi se si grupi mashtroi me fondet e BE-së duke futur në xhep miliona euro.
Gjyqi i 101 të pandehurve në një gjykatë në Messina, Siçili, përfundoi të martën, duke dënuar 91 prej të akuzuarve me 660 vite burg për krime, përfshirë mashtrime, deklarata të rreme, zhvatje, krijimi i kompanive fiktive për përfitime të paligjshme dhe shitje të drogës.
Dy nga krerët e bandës do të shkojnë në burg për 30 dhe 23 vite.
Gjyqi ekspozoi për herë të parë një sistem mashtrimesh që derdhën të paktën 5 milionë euro nga fondet bujqësore të BE-së në arkat e dy klaneve mafioze dhe bashkëpunëtorëve të tyre, duke përfshirë kontabilistë, politikanë dhe punonjës të qeverisë.
“Gjyqi tregoi se ekziston një mafia moderne që është zhvendosur nga zhvatja dhe droga në forma më të sofistikuara të të ardhurave, duke përdorur mashtrimin për të marrë fonde publike të destinuara për zhvillimin e Siçilisë”, tha për POLITICO prokurori Maurizio De Lucia.
Italia ka luftuar prej kohësh me korrupsionin dhe gjyqi mund të ngrejë shqetësime për 191.5 miliardë euro që Italia do të marrë si pjesë e fondit të rimëkëmbjes ekonomike të BE-së pas pandemisë.
Por nga ana tjetër gjyqi i suksesshëm mund të nxjerrë në pah aftësinë e vendit për të goditur krimin.
Top Channel