Kushtet në një qendër të mbipopulluar emigrantësh në Kent të Anglisë ishin të ngjashme me të jetuarit në një burg apo kopsht zoologjik, ka thënë një azilkërkues për BBC.
Ahmed (emri i tij jo i vërtetë) tha se njerëzit në qendrën e azilit në Manston trajtoheshin si “kafshë”, ku 130 njerëz ishin të detyruar të ndajnë një tendë të vetme.
Më shumë se 4,000 emigrantë thuhet se janë mbajtur në kamp dhe pritet që do të vijnë edhe 1,600 të tjerë ditët e fundit. Por Ministri i Emigracionit, Robert Jenrick ka këmbëngulur se shifrat po bien.
Ahmedi, i cili u largua nga qendra të hënën pas 24 ditësh atje, përshkroi se ishte i detyruar të flinte në dysheme dhe ishte i ndaluar të shkonte në tualet, të bënte dush ose të dilte jashtë për stërvitje.
Azilkërkuesi tha për BBC se u largua nga vendi i tij në kërkim të lirisë dhe për të shmangur persekutimin, duke thënë se kishte jetuar me frikë për jetën e tij.
“Për 24 ditësh që jam atje, nuk mund t’i telefonoj familjes sime për t’u thënë atyre se kam vdekur, po jetoj dhe ata nuk dinë asgjë për mua,” tha ai. “Të gjithë njerëzit atje, kanë një familje. Ata duhet të dinë se çfarë po ndodh me ne.”
Manston, një ish-bazë ushtarake në Kent, u hap si një qendër azili në shkurt për numrin në rritje të emigrantëve që arrijnë në Mbretërinë e Bashkuar me varka të vogla. Emigrantët janë menduar të mbahen atje për periudha të shkurtra kohore, ndërsa i nënshtrohen kontrolleve të sigurisë dhe identitetit.
Një numër i madh emigrantësh kanë mbërritur në Britaninë e Madhe këtë vit. Deri më tani këtë vit, ka pasur pothuajse 40,000 mbërritje në Kent me gati 1,000 që kanë kaluar kanalin vetëm të shtunën.
Top Channel