Sulmi ndaj bashkëshortit të Pelosit, deklarata rrëqethëse e autorit

01/11/2022 10:54

Personi që akuzohet për sulmin me çekiç ndaj bashkëshortit të Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi, i tha policisë se donte ta merrte peng drejtuesen demokrate dhe “t’i thyente kupat e gjurit” për t’i treguar anëtarëve të tjerë të Kongresit, se kishte “pasoja për veprimet”, njoftuan autoritetet të hënën.

Në një dokument rrënqethës, zyrtarët thonë se David DePape, 42 vjeç, kishte marrë me vete në çantën e shpinës pranga plastike, një litar dhe shirit ngjitës. Ai hyri me forcë në shtëpinë e çiftit në San Françisko mëngjesin e së premtes, u ngjit në katin e sipërm ku po flinte 82 vjeçari Paul Pelosi dhe kërkoi të fliste me “Nancy-in”.

“Kjo shtëpi dhe vetë kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve ishin konkretisht objektivi”, tha prokurorja e San Françiskos, Brooke Jenkins, gjatë një konference për shtyp të hënën në mbrëmje, duke njoftuar akuzat ndaj zotit DePape, përfshirë tentativë për vrasje.

“Kjo ishte e motivuar politikisht”, tha zonja Jenkins. Ajo i bëri thirrje publikut të ketë “kujdes me fjalët që themi dhe të ulim volumin e retorikës sonë politike”.

Padia federale bën kontrast përkundër përqeshjeve dhe teorive të konspiracionit për sulmin në shtëpinë e çiftit Pelosi, të qarkulluara nga personazhe të së djathtës së largët dhe madje edhe nga disa zyrtarë kryesorë republikanë, vetëm një javë përpara zgjedhjeve të mesmandatit.

Në një aktivitet elektoral të hënën në Arizona, Kari Lake, kandidatja republikane për guvernatore, mori të qeshura të përzemërta ndërsa bënte shaka për sigurinë në shtëpinë e çiftit Pelosi.

Për më tepër, zoti DePape akuzohet për ndikim, pengim ose ndëshkim të një zyrtari federal, duke kërcënuar ose plagosur një anëtar të familjes. Ai gjithashtu përballet me një akuzë për tentativë rrëmbimi të një zyrtari të Shteteve të Bashkuara për shkak të kryerjes së detyrave zyrtare.

Asnjë avokat nuk është regjistruar për të marrë përsipër mbrojtjen për zotin DePape. Ai do të dalë në gjyq të martën dhe prokurorët do të kërkojnë që ai të mbahet në burg pa të drejtën për lirim me kusht.

Kur Paul Pelosi i befasuar i tha sulmuesit se zonja Pelosi nuk ishte aty, DePape tha se do të priste – edhe pasi iu tha se nuk do të ishte në shtëpi për disa ditë. Sulmuesi më pas filloi të nxirrte kravata, për ta lidhur, thuhet në padi.

“Duke i thyer gjunjët Nancy-t, asaj më pas do t’i duhej të futej në Kongres me karrocë, gjë që do t’u tregonte anëtarëve të tjerë të Kongresit se kishte pasoja për veprimet”, citon padia fjalët e zotit DePape thënë hetuesve.

I dyshuari DePape i foli policisë për planet e tij për ta mbajtur peng Kryetaren Pelosi për të “biseduar me të” dhe se e konsideronte atë si “udhëheqëse e paketës së gënjeshtrave të treguar nga Partia Demokrate”, thuhet në padinë me tetë faqe.

Çifti Pelosi gjatë një aktiviteti në vitin 2019
Çifti Pelosi gjatë një aktiviteti në vitin 2019
“Nëse ajo do t’i tregonte DePape-s ‘të vërtetën’, ai do ta linte të ikte dhe nëse ajo ‘gënjente’, ai do t’i thyente ‘kupat e gjurit’,” thuhet në ankesë.

DePape është një shtetas kanadez i cili hyri legalisht në Shtetet e Bashkuara në vitin 2000, por që ka qëndruar shumë kohë pasi i ka skaduar viza, tha një zyrtar amerikan i cili nuk ishte i autorizuar ta diskutonte çështjen publikisht dhe foli në kushte anonimiteti.

Familja e përshkroi zotin DePape si të distancuar prej tyre dhe se ai njihej nga disa në San Françisko si aktivist pro nudizmit që dukej se përqafonte një sërë teorish konspirative. DePape ka jetuar për dy vitet e fundit në një garazh në një banesë në Richmond, Kaliforni, thuhet në padi.

Sulmi ishte një jehonë shqetësuese e sulmit të 6 janarit 2021 në Kapitol, kur pjesëmarrësit që përpiqeshin të përmbysnin humbjen në zgjedhje të Donald Trump-it përballë Joe Bidenit, hynë në godinën e Kongresit me thirrjen e frikshme “Ku është Nancy?”. Disa prej tyre mbanin me vete pranga plastike.

Policia u dërgua në shtëpinë në lagjen e pasur Pacific Heights rreth orës 2:20 të mëngjesit të së premtes pasi Paul Pelosi bëri një telefonatë tek numri i urgjencës 911. DePape theu xhamin në derën e pasme të shtëpisë dhe u ngjit në katin e sipërm për t’u përballur me Paul Pelosin, tha policia. Policët mbërritën dy minuta më vonë dhe i panë të dy burrat duke u përleshur me një çekiç dhe më pas panë DePapen ta godasë zotin Pelosi të paktën një herë përpara se të kapej nga oficerët e policisë.

Prokurorja Jenkins tha se DePape “e tërhoqi çekiçin nga zoti Pelosi dhe e goditi me forcë në majë të kokës”. Ajo tha se ai kishte një çekiç të dytë në çantën e tij.

DePape u arrestua të premten me dyshimin për tentativë vrasjeje, abuzim me të moshuarit dhe vjedhje me thyerje në një sulm të frikshëm që ka përforcuar klimën toksike politike përpara zgjedhjeve të mesmandatit që mbahen më 8 nëntor.

Paul Pelosi vazhdon të jetë i shtruar në spital në San Françisko pasi iu nënshtrua kirurgjisë për një frakturë në kokë dhe lëndime të tjera. Kryetarja Pelosi, e cili ishte në Uashington në kohën e sulmit, u kthye me shpejtësi në Kaliforni. Ndryshe nga presidentët, udhëheqësit e kongresit kanë mbrojtje sigurie për veten e tyre, por jo për familjet e tyre.

Në ambulancën për në spital, Paul Pelosi i tha policisë se nuk e kishte parë kurrë më parë DePape-n, thuhet në padi.

DePape i tha policisë se ishte vështirësuar të çante derën e xhamit me çekiçin e tij dhe se u ngjit lart dhe i tha Paul Pelosit që po flinte që të zgjohej. Pelosi u shfaq i befasuar, tha DePape.

Pasi Paul Pelosi i tha sulmuesit se gruaja e tij nuk ishte në shtëpi, ai më pas e pyeti DePape se si mund ta zgjidhnin situatën, thuhej në ankesë. DePape shpjegoi se ishte i lodhur dhe se donte ta lidhte Pelosin dhe të prisnin. Në një moment, Paul Pelosi u përpoq të arrinte tek ashensori, ku gjendet një telefon, por DePape e bllokoi. Pelosi më vonë kërkoi të përdorte banjën dhe i telefonoi urgjencës.

DePape u tha hetuesve se ai nuk u largua edhe pse e dinte që Paul Pelosi i kishte telefonuar urgjencës sepse “ashtu si baballarët themelues amerikanë me britanikët, ai po luftonte kundër tiranisë pa opsionin e dorëzimit”, thuhet në padi.

Padia federale thotë gjithashtu se DePape tha se donte “të përdorte Nancy-n për të joshur” një person tjetër. Por padia nuk jep detaje të tjera të këtij plani.

“Nuk kemi asgjë për të sugjeruar që këta dy persona e njihnin njëri-tjetrin përpara këtij incidenti”, tha Prokurorja Jenkins në një konferencë të dielën.

Deklaratat e prokurores erdhën ndërkohë që komente të ashpra mbi sulmin qarkullonin në mediat sociale.

Elon Musk gjatë fundjavës postoi në Twitter për miliona ndjekësit e tij, dhe më pas fshiu, teoritë e konspiracionit të një faqeje interneti, ndërkohë që blerja e Twitter-it prej tij ka ngritur shqetësime se platforma e mediave sociale nuk do të përpiqet më të kufizojë dezinformimin dhe gjuhën e urrejtjes.

Djali i ish-Presidentit Trump, Donald Trump Jr., ishte ndër ata që përqeshën sulmin ndaj Paul Pelosit, duke postuar në Twitter shaka të vrazhda për të.

Në klimën e nxehtë politike, një javë para zgjedhjeve të mesmandatit, tensionet janë të larta, me kërcënime rekord sigurie ndaj ligjvënësve dhe zyrtarëve të tjerë.

Incidenti shkaktoi shqetësime të reja sigurie përpara zgjedhjeve të mesmandatit për ligjvënësit dhe zyrtarët e tjerë.

Me afro 10 mijë kërcënime kundër anëtarëve të Kongresit gjatë vitit të kaluar, Policia e Kapitolit të Shteteve të Bashkuara i ka këshilluar ligjvënësit që të marrin masa paraprake. Shefi i policisë së Kapitolit, Tom Manger, ka thënë se kërcënimi nga sulmuesit vetmitarë ka ardhur në rritje dhe kërcënimi më i rëndësishëm me të cilin po përballet policia është numri historikisht i lartë i kërcënimeve kundër ligjvënësve, mijëra më shumë se vetëm disa vite më parë.

Goditja e bashkëshortit të kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve pason sulme dhe kërcënime të tjera. Këtë verë, një person që mbante armë, thikë dhe pranga plastike u arrestua pranë shtëpisë së anëtarit të Gjykatës së Lartë, Brett Kavanaugh në Maryland pasi kërcënoi se do ta vriste gjykatësin. Në vitin 2017, deputeti republikan Steve Scalise u plagos rëndë kur një mbështetës i Bernie Sanders-it hapi zjarr ndaj republikanëve në një stërvitje bejsbolli në Kongres./ Zëri i Amerikës

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA