Kërkohej nga Greqia për përdhunim/ Policia shqiptare: 45-vjeçari shprehu dëshirën për t’u ekstraduar

01/11/2022 08:55
Foto ilustruese

45-vjeçari nga Vlora, Spartak Dyrmishi e ka kërkuar me dëshirën e tij ekstradimin në shtetin fqinj Greqi, ku ishte në kërkim për përdhunimin e një gruaje.

Është ky argumenti që ka dhënë Policia e Shtetit, lidhur me ekstradimin e menjëhershëm të tij, pas arrestimit, pa iu nënshtruar më parë procedura ligjore në territorin shqiptar.

Në njoftimin zyrtar për arrestimin e tij, Policia e Shtetit thotë se 45-vjecari iu dorëzua palët grekë në orët e para të mëngjesit të sotëm.

Dyrmishi u arrestua nga nga blutë e Vlorës, në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, pas kontrolleve të imtësishme të territorit ku dyshohej se fshihej 45 vjecari.

Njoftimi i policisë:

Angazhimi maksimal i strukturave të Policisë së Shtetit, reagimi profesional dhe në kohë, çuan në kapjen dhe dorëzimin vullnetar te Policia greke, të 45-vjeçarit nga Vlora, i kërkuar në Greqi, për përdhunim.

Policia e Shtetit, menjëherë pas shkëmbimit të informacioneve me homologët grekë, për një shtetas shqiptar që kishte përdhunuar një shtetase dhe kishte tentuar të përdhunonte një shtetase tjetër, organizoi strukturat operacionale për të ushtruar kontrolle të imtësishme në territorin ku dyshohej se fshihej 45-vjeçari.

Pas kërkimeve të pandërprera, në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, strukturat operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë bënë të mundur kapjen e shtetasit Spartak Dyrmishi, 45 vjeç, banues në Vlorë.

Duke qenë se ky shtetas ka shprehur dëshirën e tij për t’u dorëzuar te Policia greke, në orët e para të mëngjesit të sotëm, Policia shqiptare e ka dorëzuar atë në Pikën e Kalimit Kufitar Kakavije.

Gjatë një komunikimi në mesnatë, mes Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë greke Gjeneral Lieutenant Konstantinos Skoumas u vlerësua bashkëpunimi dhe reagimi mjaft profesional i Policisë shqiptare.

Drejtori i Policisë greke, Konstantinos Skoumas e ka falënderuar Drejtorin e Policisë shqiptare, për angazhimin dhe komunikimet e vazhdueshme të realizuara këto ditë, për reagimin e menjëhershëm dhe veprimet profesionale të Policisë shqiptare, të cilat ndikojnë në rritjen akoma më shumë të besueshmërisë nga homologët, forcimin e bashkëpunimit mes palëve, si dhe në rritjen e imazhit të Policisë shqiptare, ndërkombëtarisht.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA