Shoqata e fermerëve çoi në parlament një projektligj që synonte parandalimin e diskriminimit të fermerëve nga skemat e mbështetjes së AZHBR.
Si zgjidhje u propozua skema e Maqedonisë së Veriut, e cila parashikon fond limit, por bëhen përllogaritjet para. Pra sa fermerë janë të mundshëm për të përfituar, shumëzohet me përftimin dhe del fondi që vihet në dispozicion. Në rast se nuk del fondi lihet një skemë tjetër pa bërë dhe kalohen këtu me qëllim shmagjen e diskriminimit por në Maqedoninë e Veriut aplikimet janë më të vogla se buxheti I vënë në dispozicion.
‘E rrëzuan me pretendimin se po bëjnë statregjinë 2022-2027, ndërkohë që ne kemi skemën e natës që sot ka shkuar në 50% të aplikimeve, fondi mund të mbarojë deri tek data 16 dhe pastaj do u thonë mbaroj fondi dhe nuk ka më”, u shpreh Eduart Sharka, Shoqata e fermerëve.
Me 200 hektarë tokë dhe me rreth 80 krerë lopë, Franci këtë vit nuk ka marrë asnjë qindarkë mbështetje. Ndryshe do të ishte, nëse këtë fermë do ta kishte në Kosovë. Ai do të kishte përfituar rreth 100 mijë euro mbështetje.
“Unë psh mbjell cdo vit 100 ha grurë, nëse do të isha në Kosovë, në Kosovë jepet 150 euro/ha për korrje dhe do të merrja 15 mijë euro vetëm për korrjen, pastaj jepet 300-400 euro për mbjelljen do të ishin 40 mijë euro për mbjellje. Pastaj jepet për numrin e krerëve kam 80 krerë, për viçat e lindur, për krerët që çohen në thertore. Ndërsa këtu vetëm një vit kam përfituar nga 100 mijë lekë të vjetër dhe pastaj nuk kam përfituar më” u shpreh Franc Kaloshi, fermer.
Franci ka aplikuar edhe në skemën e IPARD, por aty nuk ka mundur të kualifikohet. Ai i konsideron një labirinth zyrat e institucioneve shtetërore që në vend ta ndihmojnë fermerin, bëhen pengesë.
“Kam aplikuar tek IPARD, por kam pasur problem me titujt e pronësisë, sepse këtu është shumë e vështirë tituj pronësie. Të marrësh një leje ndërtimi për stallat në bashkinë e Divjakës është shumë e vështirë, ose të shkosh të legalizosh një ndërtim që ti ke bërë në drejtorinë e ASHK-së Lushnjë, është pothuajse një labirinth shumë i madh. Ne nuk kemi kohë të bredhim pas letrave, ne duhet të punojmë tokën”, u shpreh Franc Kaloshi, fermer.
Prej më shumë se një dekade në shërbim të tokës ai akuzon se skema e IPARD është kthyer në një tekë të kryeministrit. Ai po mbështet agroturizmin, duke lënë jashtë sektorë mjaft të rëndësishëm.
Por duket se Ministria e Bujqësisë dhe AZHBR i japin fondet kuturu kur vjen fjala për agroturizmin, pasi sipas KLSH asnjëri prej këtyre institucioneve nuk ka kryer monitorim mbi fatin investimeve në këtë sektor. Si pasojë nuk është e mundur të matet impakti që këto investime kanë sjellë në zhvillimin e ekonomisë rural.
Paradoksalisht këto dy institucione që miratojnë dhënien e fondeve nuk kanë as të dhëna si p.sh. për numrin e të punësuarve në këtë sektor, numrin e turistëve që frekuentojnë agroturizmin apo çdo e dhënë tjetër që do të ndihmonte në hartimin e politikave më konkrete.
Top Channel