Akuzat e Berishës për udhëtimet me charter, Rama: U bashkuan hakerat iranianë dhe grupi Rubla Çorba

01/11/2022 08:54

Kryeministri Edi Rama i është kundërpërgjigjur ish-kryeministrit Sali Berisha me një reagim në Twitter pas akuzave për udhëtimet me charter.

Ai shprehet se tashmë Berisha është bërë palë me hakerët iranianë dhe Rusinë, të cilët po përpiqen të çoroditin popullin shqiptar.

Postimi i plotë i Ramës:

I Zot të qash a të qeshësh, vetëm këtu bën vaki të të dyndin me shpifje dhe të të thonë bëj transparencë! Po si bëhet kjo transparenca kur u tregon shifrat dhe bëjnë sikur nuk kuptojnë?! Po kur thonë pse i bën reklamë Shqipërisë? Po kujt t’i bëj, kanaleve, portaleve apo rublave?!

Jemi pyetur shumë herë këto vite për avionin ALBANIA dhe i kemi dhënë informacionet, po tani u bashkuan hakerat iranianë dhe grupi Rubla Çorba, kështu që u ngrit tymi lart se helbete, duhet hedhur sa më shumë blozë, “S’ka asnjë faj Putini, çohu o popull se duhet rrëzuar regjimi!”

Lëre pastaj kur thonë me charter udhëtojnë vetëm sheikët e diktatorët, ndërkohë që tërë qeveritë e rajonit, se Europës po e po, kanë avionët e tyre përjashto Shqipërinë e Kosovën! Ne s’e blejmë dot,me qera s’e marrim dot,ndaj kemi blerë orë fluturimi me marrëveshje promocionale!

Po ku është hilja thonë se s’ka mundësi?! Ka si s’ka! Hilja është ashiqare fare tek përpjekja non stop për ta helmuar, çoroditur, nxitur për sherr e për konflikt këtë popull me shpifje sa më të përbindshme, nisur nga gjysëm të vërteta që janë edhe gënjeshtrat më të mëdha!

Një ditë më parë, Berisha i konsideron një abuzim të çmendur udhëtimet me charter të kreut të qeverisë, duke u shprehur se asnjë nga  krerët botërorë nuk shpenzojnë aq shumë në udhëtime me charter, ndërsa kërkoi dorëheqjen e kryeministrit. Sipas tij, Rama për të mbuluar këtë skandal, flet me gjuhë të papërshtatshme gjatë takimeve të tij në publik.

Kujtojmë se disa ditë më parë, hakerat e Homeland Justice kanë publikuar të dhënat personale të kryeministrit Edi Rama.

Në dokumentin e hedhur në rrjet nga hakerat janë bërë publike dy pasaportat e kryeministrit, një diplomatike dhe një e zakonshme si dhe udhëtimet e tij që prej vitit 2004 deri në maj të vitit 2022.

Në këtë dokument që tashmë është në duart e mijëra personave janë të dhënat e 394 udhëtimeve të kryeministrit, shumica e të cilave me avionë por në disa raste ka dalë me makinë nga pikat kufitare me Greqinë apo Maqedoninë e Veriut.

Gjatë kësaj kohe, të regjistrimit të udhëtimeve në sistemin TIMS, kryeministri Edi Rama rezulton se ka udhëtuar 50 herë me avion charter. Këto udhëtime i ka bërë që nga koha kur ishte kryetar i bashkisë së Tiranës në vitin 2004, më pas si kryetar i opozitës dhe tani si kryeministër.

Vlera e biletave të paguara për 344 udhëtimet me linjat e rregullta ajrore nuk mund të llogaritet por kostot e udhëtimeve me charter po.

Mesatarisht një udhëtim charter në Europë shkon nga 20 deri në 30 mijë euro, që do të thotë që për Ramën janë shpenzuar të paktën një milionë euro për udhëtime me charter.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA