Gjashtë javë, pasi vdekja në duart e policisë e Mahsa Aminit shkaktoi protesta në Iran, gjatë fundjavës u organizuan protesta në qytete në mbarë botën, në të cilat u bënë thirrje për liri në Iran.
Edhe në qytetin amerikan të Los Anxhelosit një numër i madh njerëzish protestuan kundër shkeljes së të drejtave të njeriut në Iran.
Mijëra iranianë dhe mbështetës të lirive politike në Iran morën pjesë në protestat e mbajtura në Oslo, Pragë, Londër, dhe Uashington.
Në Los Anxhelos, iraniano-amerikani Al Biggy bëri thirrje për liri, demokraci dhe drejtësi në Iran.
“Bota e ka parë se si regjimi në Iran po vret qytetarët e tij, vajza, djem e të rritur. Ata shkojnë nëpër shkolla, marrin vajza, i përdhunojnë dhe i burgosin ato. Këto janë veprime çnjerëzore. Nuk mund të jemi më në dorën e diktatorëve dhe të vritemi. Kjo është e pabesueshme. Të gjithë po shohin se çfarë po bën Putini në Ukrainë. Regjimi në Iran po ndihmon Rusinë të vrasë edhe ukrainasit. Kjo është një dhimbje e madhe”, tha ai.
Mehean, një protestuese që nuk pranoi të zbulonte mbiemrin e saj nga frika se kjo mund të sjellë pasoja për miqtë e saj që ende janë në Iran, thotë se shumë njerëz nuk kanë mundur të komunikojnë me familjet e tyre që nga fillimi i protestave dhe po bëjnë thirrje për qasje të papenguar në internet.
“Kam jetuar në Iran për 12 vjet dhe jam këtu sot për të mbështetur popullin iranian. Ata po luftojnë për liri”, thotë ajo.
Në Nju Jork, Helen Kamali ndihmoi në organizimin e një proteste të përbashkët me komuntetin ukrainas të qytetit.
“Mendoj se po ndeshemi me një situatë shumë të ngjashme në kuptimin që ne jemi individë nga dy vende që aktualisht po shtypen nga diktatorë brutalë. Besoj se përmes përpjekjeve të përbashkëta, ne mund të përforcojmë zërat e individëve në vendet tona dhe të hedhim dritë mbi gjërat që po ndodhin jashtë vendit. Kemi arritur në një pike, ku nuk kemi çfarë të humbasim. Rrezikimi i jetës në emër të lirisë është një kosto e madhe. Dhe shumë njerëz në Iran janë të gatshëm ta bëjnë këtë”, thotë ajo.
Në Los Anxhelos, aktori dhe regjisori Bahram Ziraksari thotë se është detyrë e të gjithë iranianëve të protestojnë dhe të luftojnë për lirinë në Iran, ku njerëzit po rrezikojnë jetën e tyre, duke protestuar kundër regjimit në Teheran.
“Jemi këtu për të mbështetur popullin tim. Regjimi në Iran po sulmon gratë, po sulmon njerëzit. Të gjithë iranianët këtu janë bashkuar për të mbështetur njerëzit në vendin tim”, thotë ai.
Organizatorët e protestave po u bëjnë thirrje qeverive në mbarë botën që t’i shpallin persona non-grata të gjithë ambasadorët e Republikës Islamike të Iranit dhe përfaqësuesit e tyre në organizatat ndërkombëtare./VOA
Top Channel