Viktima të shumta në Seul nga shtypja e turmës së mbledhur për festën Halloween

30/10/2022 16:37

Mbi 150 persona humbën jetën nga dyndja e turmës gjatë festimeve në kryeqytetin e Koresë së Jugut, ku të rinjtë ishin mbledhur për festën e Halloween-it. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Bill Gallo, u ndodh në vendngjarje. Kronika në vazhdim përmban pamje të rënda.

Mbrëmja në lagjen popullore Itaewon të Seulit u shndërrua me shpejtësi në një makth. Turma e ngjeshur në një rrugicë la të bllokuar qindra persona.

Kalimtarët, shumë prej tyre të veshur me kostume Hallouini, u përpoqën të jepnin ndihmën e parë përpara se të mbërrinin ekipet e urgjencave.

Trupat e dhjetëra viktimave, shumica adoleshentë dhe në të 20-tat, u gjetën nëpër rrugë ndërsa autoambulancat mundoheshin të kalonin përmes turmave.

Turma ishte shumë e ngjeshur. Këto ishin festimet e para për Hallouinin që nga lehtësimi i masave në Seul për COVID-19. Policia rrethoi vendin, por herë pas here familjarët vinin duke kërkuar informacion për të afërmit e tyre.

Disa orë më vonë, shumë ishin të çorientuar, ndërkohë që të tjerë vazhdonin ende të festonin, pa ditur se çfarë kishte ndodhur.

“Nuk e kisha menduar kurrë që një gjë e tillë do të ndodhte në Kore, në veçanti në Itaewon. Kam qenë në shumë Halloween-e në Kore. Gjithnjë ka patur shumë turmë, por diçka e tillë nuk ka ndodhur kurrë më parë”, thotë Juyong Possamai, banakier në Itaewon.

Ky është incidenti me më shumë viktima në turmë në historinë e Koresë së Jugut. Autoriteteve do t’u duhet tashmë të kuptojnë arsyet se përse ndodhi një gjë e tillë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA