Gjithë komuniteti i Lerapetrës në Lasithi të Kretës juglindore është tronditur nga tragjedia e ndodhur në orët e para të mëngjesit në vendin e quajtur Agia Fotia, afërsisht 15 kilometra nga qyteti i katërt më i madh i ishullit.
Një turiste 47 vjeç nga Sllovenia ka humbur jetën, ndërsa djali i saj 10 vjeç dhe bashkëshorti 51 vjeç janë plagosur nga një rrëshqitje dheu që ka mbuluar komplet dhomat e tyre ku ata kalonin pushimet, pikërisht ditën e fundit para se të ktheheshin në shtëpinë e tyre. Imazhet me dron tregojnë se si është rrafshuar plotësisht një pjesë e kompleksit të apartamenteve me qira të ndërtuara në shpatin e malit.
Tragjedia ka ndodhur në mesnatë kur një masiv shkëmbi, është shkëputur dhe duke u rrokullisur ka rënë mbi disa dhoma të këtij kompleksi duke i shkatërruar ato plotësisht.
Operacioni i brigadave të shpëtimit me 50 zjarrfikës ka vazhduar për më shumë se 6 orë për të nxjerrë familjen e turistëve nga rrënojat.
Ata arritën të shpëtojnë djalin e vogël me babanë që kishin pësuar dëmtime të vogla, kurse nëna u gjet më vonë pa jetë poshtë gurëve.
Profesori i Fakultetit të Gjeologjisë dhe Gjeomjedisit të Universitetit Kombëtar dhe Kapodistrian të Athinës Efthimios Lekkas ka deklaruar se bëhet fjalë për një fenomen gjeologjik që u përshpejtua për shkak të reshjeve të 15 ditëve të fundit në Kretë.
Sipas tij për tju shmangur këtyre tragjedive , nuk duhet të ndërtohen shtëpi apo hotele në këto vende kur relievi është i rrezikshëm dhe infrastruktura e papërshtatshme.
Top Channel