Në kryeqytet po shtohen semaforët që kanë sinjale zanore për t’iu ardhur në ndihmë personave me aftësi të kufizuara.
Çdo semafor do të pajiset me një buton, ku me një të shtypur, do të lëshojë sinjalin se semafori është i hapur për këmbësorët.
“Shtypet butoni dhe tregon kahun që duhet të mbajë personi që ka aftësi të kufizuara. Kur është i kuq, e prenton. Kur del jeshil, do të japë sinjalin akustik që do të thotë që mund të kalojë”- shpjegon Herion Rrapaj, Drejtori i pergjthshëm i rrugëve dhe ndriçimit public.
Nga 90 nyje semaforike në total, deri më tani janë funksionale 30 të tilla. Por gjatë kësaj periudhë është hasur si problem edhe demtimi i tyre nga qytetarët.
“Deri tani jemi në kompletim të unazës së vogël, do të vazhdojmë me unazën e mesme që do kompletohet vitin që vjen. Do ju lutesha qytetarëve të mos i dëmtojnë, janë etike për njerëzit me aftësi të kufizuara” -shton Rrapaj.
Kujtim Hysesani, në moshën 16 vjeçare humbi shikimin.Lëvizja ne qytet për të është gjithnjë e më e vështirë në një vend si Tirana, ku qarkullimi i makinave është tepër i lartë.
Me vendosjen e sinjalistikave ndihmuese, drita jeshile për Kujtimin është ky sinjal.
“Janë shumë ndihmëse për personat që kanë probleme me shikimin. Përgjithësisht janë lehtësuese”– shprehet Kujtimi.
Kujtimi ka mbaruar studimet e larta dhe prej 10 vitesh punon si fizioterapist në një qendër multidisiplinare. Në përditshmëri has vështirësi të ndryshme për të shkuar nga shtëpia në punë, por ai nuk dorëzohet përballë tyre.
Top Channel