Brazilianët po votojnë të dielën në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale ku përballen Presidenti aktual konservator Jair Bolsonaro me rivalin e tij të hershëm të majtë Luiz Inacio Lula da Silva.
Të dy politikanët kanë qenë figura polarizuese, duke tërhequr tradicionalisht adhurimin, por edhe antipatinë e votuesve. Përballja mes dy rivalëve të vjetër do të përcaktojë nëse Brazili, vendi i katërt më i madh në botë që ka një sistem demokratik politik, do të vazhdojë të drejtohet nga politika e krahut të skajshëm të djathtë apo do të rikthehet nën drejtimin e një udhëheqësi majtist.
Mbi 120 milionë brazilianë janë të regjistruar për të marrë pjesë në votime, një pjesë e madhe e të cilëve votojnë elektronikisht. Kjo do të mundësojë që rezultati të mësohet në vetëm pak orë pas mbylljes së kutive të votimit.
Kandidati i majtë da Silva, i njohur ndërkombëtarisht me emrin Lula, doli i pari mes 11 kandidatëve në raundin e parë të votimeve duke marrë 48% të votave, i pasuar nga zoti Bolsonaro me 43%. Ai e ka ruajtur avantazhin edhe gjatë anketimeve. Analistët politikë pranojnë megjithatë se gara zgjedhore është ngushtuar javët e fundit.
Top Channel