Një ballkon jo më i madh se dy metra katrorë është pjesa e preferuar e banesës së Ibrahim Hetemit nga Skenderaj – qytet rreth 50 kilometra larg Prishtinës.
Nga kjo hapësirë, ai vëzhgon lëvizjen e njerëzve dhe veturave dhe i duket se është pjesë e trafikut.
Ka më shumë se dyzet vjet që jashtë nuk del shpesh. Si 16-vjeçar, ai ka pësuar një aksident me armë zjarri që e ka lënë me pasoja të përhershme në trup.
“Prej atëherë unë jetoj në karrocë invalidore”, thotë Hetemi, sot 57 vjeç.
Nga plagosja, ai ka humbur ndjenjat në pjesën e poshtme të trupit dhe e ka të pamundur të kujdeset për veten pa ndihmën e një personi tjetër.
Përveç pagesës së një shoqëruesi, atij i është dashur të blejë edhe disa pajisje të veçanta, si jastëk special që ndihmon të mos i krijohen plagë në lëkurë nga qëndrimi në karrocë, apo kateter që i ndihmon të urinojë.
Hetemi jeton me gruan, e cila është po ashtu përdoruese e karrocës, si dhe me nënën e tij në moshë të shtyrë.
Deri në vitin 2017, ai ka marrë një pension nga shteti – rreth 75 euro në muaj – që u jepej të gjithë personave me aftësi të kufizuara në Kosovë, pavarësisht gjendjes specifike shëndetësore.
Por, nga ajo kohë ka hyrë në fuqi një ligj i veçantë, që u siguron kompensim personave të ashtuquajtur paraplegjikë dhe tetraplegjikë.
Sipas përkufizimit në ligj, “paraplegjikë quhen personat, të cilët si shkak i sëmundjes apo dëmtimit të sistemit nervor, kanë humbur në formë të përhershme mundësinë e lëvizjes së ekstremiteteve (gjymtyrëve) të poshtme”, ndërsa “tetraplegjikët janë personat, të cilët kanë humbur në formë të përhershme mundësinë e lëvizjes së gjymtyrëve të poshtme dhe të epërme”.
Ky ligj ka rregulluar kompensimin monetar për këta persona në dy grupe, të cilat i vlerëson një komision mjekësor, i caktuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.
Nëse kategorizohet në grupin e parë, një person mund të marrë deri në 375 euro kompensim në muaj – 150 euro për vete, 150 euro për shoqëruesin dhe 75 euro si pako sanitare dhe pajisje shtesë.
Grupi i dytë, ndërkaq, ka kompensim prej 150 eurosh, pasi llogaritet se këta persona nuk kanë nevojë për shoqërues apo pako sanitare.
Personat e grupit të parë duhet t’i nënshtrohen rivlerësimit nga komisioni çdo pesë vjet, ndërsa ata të grupit të dytë çdo tre vjet.
Nga një vlerësim në vitin 2017, Hetemi është kategorizuar në grupin e dytë.
I pakënaqur me këtë, ai është ankuar fillimisht në komision e më pas në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Kjo e fundit, në vitin 2019, ka vendosur që kategorizimi i Hetemit të rishqyrtohet.
Komisioni vlerësues e ka rishqyrtuar rastin e tij dhe në vitin 2020 ka vendosur që Hetemi, në fakt, i takon grupit të parë. Kështu, atij i është paguar kompensimi prej 375 eurosh në mënyrë retroaktive, si dhe për dy vjet të tjerë.
“[Pas vendimit] u relaksova, meqenëse më kishte humbur shpresa”, shprehet Hetemi për Radion Evropa e Lirë.
Në qershor të këtij viti, ai i është nënshtruar rivlerësimit të rregullt pas pesë vjetësh.
Në Klinikën e Neurologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës kanë vlerësuar se ai i takon kategorisë së parë. Me dokumentin e kësaj klinike, ai është paraqitur para komisionit të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve në Mitrovicë, ku do të merrej vendimi përfundimtar për të.
“Nuk ke pasur punë tjetër ti vetëm të merresh me armë”, kujton Hetemi fjalët e njërit, sipas tij, anëtar të komisionit.
Ai thotë se nuk është njoftuar për vendimin deri pas një muaji, kur ka parë se në llogarinë bankare i kanë dalë 150 euro – shumë e paraparë për personat që kualifikohen në kategorinë e dytë të invaliditetit.
“Njëqind e pesëdhjetë euro mua as terapi nuk më dalin… nëse nuk është rrethi familjar të më gjendet”, thotë Hetemi.
Ai sërish ka ngritur ankesë në komisionin vlerësues dhe është në pritje të vendimit.
Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve në lidhje me rastin e Hetemit, por nga ky institucion kanë thënë se nuk mund të komentojnë rastin specifik.
“Ne nuk mund të dalim jashtë vlerësimit të komisionit mjekësor. Palën mund ta udhëzojmë të respektojë afatin për ankesë [dhe] përkatësisht padi në gjykatë”, thuhet në përgjigjen me shkrim.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, në vitin 2018 kanë qenë 1.066 përfitues të pensionit në bazë të Ligjit për paraplegjikë dhe tetraplegjikë. Bazuar në pagesën e tetorit 2022, bëhet fjalë për 2.575 përfitues.
Megjithatë, nga Ministria nuk kanë dhënë të dhëna se sa përfitues janë në grupin e parë e sa në të dytin.
Lumnije Rulani është një tjetër qytetare nga Gjilani – në pjesën lindore të Kosovës – që përfiton pension nga shteti, për shkak të invaliditetit.
Sot 49 vjeçe, ajo ka pësuar dëmtim të sistemit nervor kur ka qenë 3-vjeçare dhe që nga ajo kohë i duhet ta përdorë karrocën.
“Unë, në gjendjen time, pa përcjellës nuk mund të lëviz askund”, thotë Rulani për Radion Evropa e Lirë.
Ajo ka fituar të drejtën për kompensim në kategorinë e parë në vitin 2017. Për pesë vjet, ka marrë 375 euro në muaj.
Këtë vit, Rulani i është nënshtruar sërish rivlerësimit. Dhe, siç thotë ajo, mjekët kanë konstatuar se nuk ka pasur ndonjë përmirësim në shëndet, por se komisioni i Ministrisë, në muajin gusht, e ka futur në kategorinë e dytë.
Ajo thotë se nuk ka marrë asnjë shpjegim se pse është bërë ky vlerësim.
“Ne, kur shkojmë në komision, aty asnjë minutë nuk ka vlerësim. Vetëm na shikojnë pak dhe thonë: dil… shtrij duart përpjetë dhe asgjë tjetër”, thotë Rulani.
Ajo jeton me vajzën16-vjeçare, është nënë vetushqyese dhe thotë se gjendjen financiare e ka të rëndë.
“Jam e prekur [edhe] me kancer të gjirit. Çdokush e di se sa është kostoja [e trajtimit] e një njeriu me kancer”, thotë Rulani.
Ankesë ndaj vendimit për futjen në kategorinë e dytë ka bërë edhe ajo, por thotë se nuk beson shumë në drejtësi.
“Tash veç në dorë të Zotit”, shprehet Rulani.
Shkelje të të drejtave të personave që përfitojnë nga pensioni për parpaplegjikë e tetraplegjikë ka konstatuar në një raport, të publikuar në janar të vitit 2021, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD).
Në këtë raport, IKD-ja ka gjetur se gjatë vitit 2020, kur ka qenë koha për rivlerësimin e disa përfituesve të pensionit, komisioni i Ministrisë ka marrë “vendime të padrejta” për ta.
“Në bazë të pesë rasteve, të cilat Qendra për Ndihmë Juridike Falas (QNJ), që funksionon në kuadër të IKD-së, i ka pranuar gjatë periudhës nëntor-dhjetor 2020, ka rezultuar se Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka bërë rivlerësimin e personave, të cilët kanë fituar statutin (pensionin) që nga viti 2017, duke mos respektuar obligimet që dalin me ligjin dhe rregulloren që e trajton këtë çështje”, thuhet në raport.
Sipas këtij raporti, Komisioni i Ministrisë ka vendosur të bëjë rivlerësimin e tyre pa i ftuar në ekzaminim fizik, “duke u mjaftuar vetëm me dokumentacionet mjekësore, të cilat palët i kanë dorëzuar në vitin 2017, kur edhe kanë fituar këtë status”.
*Video nga arkivi: Mungesë e infrastrukturës për karroca
Këtyre personave, pastaj, u është refuzuar e drejta në pension.
Sipas Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, e cila i është përgjigjur këtij raporti, rivlerësimi i palëve është bërë pa prezencë vetëm në muajin gusht të vitit 2020 dhe atë për shkak të pandemisë COVID-19.
Raporti i IKD-së, po ashtu, vë në pah se gjatë periudhës së pandemisë (mars-dhjetor 2020), janë bërë 319 ankesa nga palë që pas rivlerësimit u është refuzuar statusi për kompensim financiar.
Prej tyre, 261 janë refuzuar edhe në shkallën e dytë të komisionit të Ministrisë, përmes disa vendimeve “kryesisht shabllone”, thuhet në raport.
Afrim Maliqi, nga shoqata “Handikos” që merret me të drejtat e personave me aftësi të kufizuara në Kosovë, thotë se kjo organizatë pranon shumë ankesa për mënyrën se si trajtohen personat që aplikojnë për këtë mbështetje financiare.
“Komisionet vlerësuese janë duke bërë shkelje të mëdha, duke ua mohuar të drejtat personave paraplegjikë dhe tetraplegjikë. Komisionet nuk kanë njohuri mbi komplikimet dhe nuk i vlerësojnë personat drejt”, thotë Maliqi për Radion Evropa e Lirë.
Nga përvojat që dëgjon, ai thotë se komisioni “i sheh personat vetëm nja 30 sekonda apo një minutë”.
“Vlerësimi nuk është duke u bërë i drejtë, se shumë persona prej grupit të parë po zhvendosen në grupin e dytë”, thotë ai.
Në Kosovë, në bazë të regjistrimit të popullsisë në vitin 2011, jetojnë mbi 77.000 persona me aftësi të kufizuara.
Kosova ka ligj për integrimin e tyre në jetën e përditshme. Por, sipas raportit të Avokatit të Popullit për vitin 2021, ata mbeten një nga kategoritë më të cenueshme të popullatës në vend, për shkak të infrastrukturës jo të duhur për qasje në objekte të institucioneve publike dhe të tjera./ Radio Evropa e Lirë
Top Channel