Konventa e Partisë së Lirisë/ Miratohen ndryshimet statutore dhe rezoluta për referendumet, Meta votëbesohet si kryetar

29/10/2022 11:59

Konventa e Partisë së Lirisë, që ka nisur punimet këtë të shtunë, në mbledhjen e saj të parë, miratoi në unanimitet ndryshimet statutore.

Përmes projektrezolutë që u miratua në Kuend, Partia e Lirisë synon marrjen e të gjitha nismave ligjore për miratimin e Ligjit për Referendumet. PL kërkon që çdo ndryshim/amendim në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të mos bëhet më vetëm nga deputetët:

Ndryshimet në Kushtetutë duhet të realizohen vetëm përmes Referendumit, që është edhe vullneti i drejtëpërdrejtë i popullit.

– Mega-Projektet kombëtare me vlerë prej qindra miliona eurosh, që zënë një përqindje të lartë shpenzimesh nga Buxheti i Shtetit, duhet të marrin miratimin e popullit. Nuk mundet që një kontratë  koncesionare që prek jetën e qytetarëve dhe ndikon në mënyrë të ndjeshme në ekonominë e vendit për periudha të gjata kohore për 30- 99 vjet të miratohet vetëm nga qeveria, ndërkohë që janë qytetarët shqiptarë ata që paguajnë nga xhepi i tyre për këto projekte;

– Ndryshimet në Kodin e Familjes, projektligjet që kanë të bëjnë me institucionin e familjes, prindërimit dhe birësimit, nuk mund të bëhen vetëm nga politikanë apo ligjvënës, që mund të kenë agjenda të caktuara personale, politike apo ideologjike, por duhen vendosur e sanksionuar nga populli përmes Referendumit sepse vetëm populli mund të vendosë mbi vlerat  universale dhe morale, traditat e institucionit të martesës, modelin e familjes, dhe mënyrën e prindërimit.

– Të gjitha objektet, zonat, pasuritë kombëtare me vlera universale, sitet arkeologjike, të klasifikuara si trashëgimi kulturore dhe pasuri kombëtare të mos jepen në përdorim, të të tretëve apo me koncension pa miratimin e vullnetit popullor përmes Referendumit.

– Mega-Projektet rajonale të financuara nga Njësitë e Pushtetit Vendor duhen miratuar, përmes Referendumit, nga banorët e njësive vendore ku zhvillohet aktiviteti i këtyre projekteve dhe investimeve, ose përmes referendumeve kombëtare kur çështje të kësaj natyre kanë efekte në nivel kombëtar.

Ilir Meta, në fjalën e tij e cilësoi Partinë e Lirisë, partinë e shpresës, ndërsa theksoi se misioni kryesor është të pengojë të rinjtë të emigrojnë, por të punojnë dhe zhvillojnë aktivitetin e tyre në Shqipëri.

“Partia e Lirisë është alternativa e shpresës për të zgjuar guximin qytetar dhe shpritin e lirë dhe patriotik. Misioni ynë është që Shqipëria tu përkasë të rinjve. Ndaj ne do të bëjmë çdo sakrificë për të ndaluar shpopullimin, këtë hemorragji që po vret vitalitetin, energjinë e Shqipërisë, të rinjtë dhe profesionistët, e që po kërcënon identitetin dhe të ardhmen e kombit dhe familjeve tona”.

Meta fajëson qeverinë se me politikat që ka ndjekur, ka detyruar shqiptarët të braktisin vendin.

“Vetëm për shkak të Rilindjes, Shqipëria, vendi me moshën e popullsisë më të re në Europë deri para 10  vitesh, është sot vendi me shpopullimin më dramatik në Europë. Vetëm për shkak të Rilindjes, qytetarë të pafajshëm, të rinj dhe fëmijë, vriten në mënyrë të përsëritur nga dora e policisë dhe askush nuk dënohet e jep llogari”.

Meta, që dy ditë më parë firmosi marrëveshjen me Sali Berishën për të dalë me kandidatë të përbashkët në zgjehdjet lokale të 14 majit, shprehet se opozita e bashkuar do “t’i japi fund sundimit të regjimit që u ka rrëmbyer liritë shqiptarëve.”

“Shqipëria do t’i përkasë të rinjve, sepse një shoqëri dhe një popull pa rini është si një trup pa shpirt… Është kjo bindje e palëkundur, që duhet të mbajë gjallë frymën dhe kauzën madhore të Partisë së Lirisë dhe Opozitës së Bashkuar…”.

Në këtë mbledhje të gjatë të PL-së u votëbesua dhe kryetari i partisë, ku Ilir Meta ishte i vetmi kandidat pasi askush tjetër nuk ka dorëzuar kandidaturën. Vetë Meta tha se ‘fakti që s’ka kandidat tjetër, është tregues i besimit që anëtarët e partisë kanë ndaj tij.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA