Konventa e Partisë së Lirisë/ Meta kandidati i vetëm për drejtimin e partisë: Prezantojmë sot programin politik dhe statutin

29/10/2022 11:19

Partia e Lirisë mban këtë të shtunë Konventën e Parë Kombëtare. Nga mbledhja, pritet të miratohen disa ndryshime statutore dhe për të zgjedhur forumet e reja drejtuese.

Ndërkohë, Ilir Meta është kandidati i vetëm për të qenë kryetari i partisë. Në deklaratën e dhënë për mediet para nisjes së konventës, Meta thotë se gara është hapur prej 100 ditësh, por askush tjetër nuk ka paraqitur kandidaturën e tij.

“Është ditë e rëndësishme sepse është konventa e parë sepse në 25 korrik ishte konventa e fundit e LSI.

Në më pak se 100 ditë vijmë në këtë konventë ku do të prezantojmë programin politik dhe statutin e saj dhe angazhimin tonë që Shqipëria t’u përkasë të rinjve, pasi ky është problemi më i madh që ka shoqëria sot. PL synon që këta të rinj t’i mbajë këtu dhe t’u japë mundësitë e duhura”.

Faktin që nuk ka kandidatë të tjerë, Meta i cilëson si tregues të besimit që anëtarët e PL-së kanë ndaj tij.

“Prej 100 ditësh është bërë e ditur se do të ketë zgjedhje për kryetarin e PL-së. Sot do të votojnë të gjithë në mënyrë të fshehtë. Nuk shpikim dot kandidatë dhe nuk bëjmë dot gara fiktive. Besoj se është tregues i besimit në anëtarëve në lidershipin tim”.

Sapo përfundoi mandatin e kreut të shtetit, Ilir Meta u rikthye në jetën aktive politike, duke rimarrë drejtimin e partisë së tij LSI-së. Ai mbajti konventën kombëtare të LSI-së, ku u vendos ndryshimi i emrit të partisë.

Në Konventë, u ndryshuan 2 nene në statut ku LSI mori emrin e ri “Partia e Lirisë”, ndërkohë që ndryshoi vula dhe simbolet e partisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA