Mediat amerikane raportojnë për një sulm ndaj shtëpisë së kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin Amerikan, Nancy Pelosi.
Një person, emri i të cilit ende nuk bëhet i ditur hyri në mjediset e brendshme të banesës dhe ushtroi dhunë ndaj bashkëshortit të politikanes së njohur demokrate, Paul Pelosi. Ngjarja e rëndë ndodhi sot në San Francisco, por ligjvënësja nuk gjendej aty.
Sa i përket gjendjes shëndetësore të Paul Pelosi-t, bëhet e ditur se nuk paraqitet serioze. Ai u dërgua në spital ku siç njoftohet, “po merr trajtimin e duhur spitalor nga një staf profesionist”.
Një zëdhënës i saj konfirmoi se agresori u ndalua nga forcat e rendit dhe lidhur me motivet nisi një hetim. Në vijim priten më shumë detaje.
Gjithçka ndodh teksa në Amerikë filluan përpjekjet për të mbjellë dyshime mbi rezultatin e zgjedhjeve të 8 nëntorit për Kongresin. Mbi 100 padi janë ngritur, kryesisht nga republikanët. Në shënjestër kanë rregullat mbi votimin me postë, pajisjet e votimit, regjistrimin e votuesve, numërimin e votave me postë të shënuara gabim. Kjo paralajmëron rrezikun e mospranimit të rezultateve.
Zyrtarët amerikanë japin sërish alarmin se Rusia po punon për të përforcuar dyshimet mbi integritetin e zgjedhjeve. Këtë javë, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, tha se asnjë aktivitet i jashtëm kibernetik nuk e ka penguar ndonjëherë një votues të regjistruar të votojë; nuk komprometon integritetin e çdo fletëvotimi; ose të ketë ndikuar në saktësinë e informacionit mbi listat e votuesve.
Top Channel