Marrëveshjen që firmosi këtë të enjte me Sali Berishën, kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta e cilëson si garancinë për rezultate pozitive të opozitës në zgjedhjet lokale të 14 majit.
“Është marrëveshja më parimore, që i shërben demokracisë. Referendumet, primaret, transparenca, llogaridhënia do të bëjnë të mundur të kemi një sovran që i ka të gjitha mjetet për të mbajtur në kontroll të gjithë ata që i delegon pushtetin.
Shpreh kënaqësi që angazhimi madhor që unë dhe Partia e Lirisë ka marrë mbrëmjen e 25 korrikut sot merr mbështetje të madhe nga PD, si forca më e madhe opozitare, për referendumet.
Marrëveshje historike, nuk do të shërbejë vetëm për rikthimin e pluralizmit në nivel bashkish. Dua të shpreh bindjen se kjo është një marrëveshje që garanton dhënien e fuqisë së munguar qytetarëve, pasi iu është marrë peng nga kapja e pushtetit nga qeveria lokale”.
Meta shprehur i bindur dhe besimplotë për “fitoren e padiskutueshme në Tiranë në radhë të parë dhe ne pjesën më të madhe të qeverisë”.
Është marrëveshje që udhëhiqet vetëm nga parimet e demokracisë, thekson kreu i PL-së.
Sot, më datë 27 tetor 2022, përfaqësuesit e Partisë Demokratike dhe Partisë së Lirisë, firmosin marrëveshjen:
Konkurrimi për Kryetarët e Bashkive do të bëhet me kandidatë të përbashkët, të cilët vendosen nga rezultati i konkurrimit në primare, që do të organizohen nga Partia Demokratike e Shqipërisë.
Referendumi, si forma e shprehjes direkte të vullnetit të qytetarëve, për çdo çështje që i shqetëson, në nivel qendror apo lokal, do të jetë angazhim madhor dhe i patjetërsueshëm, për të cilin PDSH dhe PL do të ndërmarrin të gjitha nismat ligjore dhe aksionet publike të nevojshme për realizimin e kësaj të drejte kushtetuese të mohuar prej 25 vjetësh.
Këshillat Bashkiake, si institucionet më të rëndësishme të përfaqësimit të qytetarëve, do të drejtohen nga përfaqësues të propozuar nga Partia e Lirisë, në rastet kur këshilltarët e kësaj të fundit rezultojnë përcaktues në sigurimin e shumicës në këta këshilla.
Të angazhohen për realizmin e transparencës së plotë për menaxhimin dhe përdorimin e të gjitha fondeve publike, si edhe të gjitha vendimeve të Këshillave Bashkiake dhe të Bashkive që lidhen me to, përfshirë organizimin e seancave të hapura publike, me lidhje live në televizionet kombëtare dhe rrjetet sociale, në funksion të llogaridhënies para qytetarëve.
Të angazhohen, me prioritet të veçantë, për realizimin e vazhdueshëm të seancave publike të hapura të Këshillave Bashkiake, me lidhje live në televizionet kombëtare dhe rrjetet sociale, ku qytetarët të dëgjohen në mënyrë të drejtpërdrejtë në seancat
Të angazhohen përmes nismave të përbashkëta institucionale, për ndalimin e betonizimit kriminal dhe korruptiv të qyteteve, duke i dhënë përparësi në vendimmarrjen lokale shëndetit të qytetarëve dhe gjelbërimit të qyteteve.
Top Channel