Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano ka thënë se janë duke punuar për gjetjen e një zgjidhje për targat.

Në konferencë për medie të enjten në Bruksel, Stano i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që në ditët në vijim të përmbahen nga veprimet, të cilat mund të çojnë deri te përshkallëzimi i situatës.

“Ne kurrë nuk dorëzohemi. Ne jemi gjithmonë të angazhuar për rregull dhe në emër të njerëzve në terren, sepse ata do të paguajnë çmimin nëse nuk zgjidhen çështjet dhe nëse ka përshkallëzim në terren. Pra, Bashkimi Evropian vazhdon të angazhohet dhe ky është roli i përfaqësuesit të lartë Borrell, ky është roli i përfaqësuesit të posaçëm të BE-së, Miroslav Lajcak i cili është i angazhuar shumë intensivisht. Ne po mundohemi të bashkëpunojmë bashkë edhe me partnerët tanë, për të gjetur zgjidhje për çështjen e cila deri më tani nuk është zgjidhur siç duhet, por na kanë mbetur edhe pak ditë deri në 1 tetor. Po punojmë intensivisht me partnerët për të gjetur zgjidhje dhe për të parandaluar një situatë ku mund të ketë një përshkallëzim të ri të panevojshëm dhe kundërproduktiv dhe, Zoti na ruajt, të shpërthejë ndonjë lloj dhune”, tha ai.

Sipas tij është e rëndësishme që të parandalohet çdo hap që çon në përshkallëzimin e tensioneve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Ai tha se palët duhet të punojnë në frymën e kompromisit për të zgjidhur çdo çështje të pazgjidhur ndërmjet tyre.

“Kemi thënë shumë herë në të kaluarën se është me rëndësi të madhe të parandalohet çdo hap që çon në përshkallëzimin e tensioneve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Kjo është më e pakta që ju duhet, të kenë më shumë tensione. Ata kanë nevojë për më shumë progres në mënyrë që të mund ta çojnë dialogun përpara drejt një përfundimi të suksesshëm të dialogut që nënkupton arritjen e marrëveshjes së nevojshme, një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve. Pra, ne po punojmë me partnerët tanë, nuk është vetëm Bashkimi Evropian, janë edhe partnerët tanë që janë të interesuar për sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor. Ne po punojmë me ta që të punojmë si me qeverinë e Kosovës, ashtu edhe me atë të Serbisë, në mënyrë që të parandalojmë ndonjë shpërthim të ri të dhunës, të ndonjë përshkallëzimi të ri, sepse kjo është në kundërshtim me interesat e popullit dhe bie ndesh me interesat e të dyja palëve, të Kosovës dhe Serbisë. Sepse prioriteti i tyre kryesor, prioriteti i deklaruar, është të ecin përpara drejt Evropës, duke iu afruar Bashkimit Evropian. Duke krijuar tension, duke mos i zgjidhur çështjet, duke mos folur, duke mos diskutuar, duke mos rënë dakord, duke mos pasur vullnetin e duhur për kompromis, nuk do ta arrini këtë, dhe me këtë po dëmtoni njerëzit tuaj. Pra, mesazhi ynë mbetet i njëjtë. Ne duhet të sillemi në mënyrë konstruktive në frymën e kompromisit, të gjejmë zgjidhje për të gjitha çështjet e pazgjidhura dhe të parandalojmë masat dhe hapat e njëanshëm që çojnë në përshkallëzim, sepse ajo që duhet, është krejt e kundërta, është de- përshkallëzimi”, shtoi Stano.

I pyetur për qëndrimin e Serbisë karshi agresionit rus në Ukrainë, Stano tha se pret nga qeveria e re serbe që të harmonizojë politikën e jashtme, vendimet dhe veprimet me ato të Bashkimi Evropian.

“Ne kemi parasysh se qeveria e re në Serbi është instaluar dhe emëruar, dhe pritshmëria është siç ka qenë gjithmonë me Serbinë, sepse Serbia është një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, është një vend kandidat që po negocion pranimin e tij në Bashkimin Evropian, prandaj është gjithmonë e rëndësishme të kemi një qeveri funksionale që mund të kryejë me besueshmëri të gjitha reformat e nevojshme, të gjitha kriteret e nevojshme në procesin e anëtarësimit dhe të gjitha pritshmëritë nga vendi i Bashkimit Evropian dhe shteteve anëtare të tij kur bëhet fjalë për sjelljen e një vendi kandidat, si një vend aspirant për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Kjo do të thotë, ne shpresojmë që kjo qeveri të realizojë reformat. Pak kohë më parë ne kemi paraqitur tabelën e rezultateve në pakon e zgjerimit se çfarë ka bërë Serbia, çfarë duhet bërë, ku duhet të behën më shumë përpjekje. Pra, ne presim që kryeministri do të punojë shumë seriozisht dhe sinqerisht në përmbushjen e të gjitha detyrave të nevojshme për të ecur përpara në procesin e anëtarësimit dhe për t’iu afruar Bashkimit Evropian, duke përfshirë harmonizimin me politikën e jashtme, vendimet, dhe veprimet e Bashkimit Evropian”, tha ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA