Detajet e reja si dhe pamjet filmike, të cilat hedhin me shumë dritë mbi vdekjen e Lear Kurtit, i shërbyen Sali Berishës për të përforcuar akuzat e tij për vrasje.
“Këto filmime faktuan se Ardi Veliu, ky mashtrues i paskrupullt gënjeu shqiptarët. Tashmë nuk ka asnjë dyshim se Lear Kurtit i morën shpirtin, xhelatë me uniformë”.
Por, në reagimin e parë për vdekjen e 32-vjecarit , Kryeministri Edi Rama hodhi poshtë pretendimet e opozitës dhe mori në mbrojtje uniformat blu që sipas tij kanë vepruar në mënyrë korrekte.
“Pra nuk ka asnjë shenjë që të ketë pasur ndonjë arsye nga jashtë, pra të ketë qenë gje e bërë me të keq”, tha Rama në 21 tetor.
Por, Prokuroria e Tiranës dyshon se veprimet e policisë mund të mos kenë qenë korrekte. Nisja e hetimeve nga organi i akuzës, sipas Berishës fakton se opozita kishte të drejtë kur ngrinte gishtin e akuzës ndaj autorëve te krimit.
“Të gjitha u bënë me urdhër të Edi Ramës dhe Bledi Çuçit. U vra për së dyti. Pra, vrasësi për herë të dytë i Lear Kurtit është Edi Rama dhe Bledi Çuci dhe kriminel i tyre me uniform, Ardi Veliu”, tha Berisha.
Në të njëjtën linjë ishte dhe Ilir Meta, por më i ashpër në qëndrime duke kërkuar largimin nga detyra të Ramës dhe Çuçit dhe nisjen e hetimeve për Ardi Veliun.
“Ka vetëm një zgjidhje, largimin e Ramës dhe ministri Çuçi, si përgjegjës kryesor dhe të procedohet Ardi Veliu. Prokuroria të zbardhë ngjarjen larg ndikimeve. krimi mban vetëm një emër, policia patronazhiste e Ramës”.
Opozita i bëri thirrje të rinjve të vijojnë protestat për të kërkuar drejtësi për bashkëmoshatarin e tyre.
Top Channel