Një hetim ka nisur në Kenia pasi një nga gazetarët më të njohur në Pakistan, Arshad Sharif është qëlluar për vdekje dje në një postbllok të policisë.
Ai u “plagos në mënyrë fatale” teksa ishte pasagjer në një automjet që nuk ndaloi ndaj sinjalit të policisë, thuhet në një deklaratë të autoriteteve vendase.
Por Sharif njihej si kritik i klikës ushtarake dhe qeverisë aktuale të Pakistanit, si dhe mbështetës i zëshëm i ish-kryeministrit Imran Khan, tashmë i larguar nga posti.
49-vjeçari ishte larguar nga Pakistani në kusht pasi ishte ankuar për kërcënime.
I ndjeri kishte qenë më parë në Britani dhe Dubai, para se të udhëtonte në Kenia. Nuk është e qartë arsyeja e udhëtimit të tij në vendin afrikano-lindor.
Gazetarët në qytetin pakistanez të Karachi, mbajtën sot një protestë për vrasjen e gazetarit.
Autoritetet mbikqyrëse të policisë në Kenia thanë se kishin dërguar grupet e hetimit për incidentin e të dielës mbrëma në Kajiado pranë kryeqytetit Nairobi.
Grupet thanë se do të hetonin “vrasjen e një qytetari të Pakistanit nga forcat e policisë”, sipas zëdhënëses Ann Makori që fillimisht ishte deklaruar si një “incident i pafat”.
Oficerët thanë se kishin ngritur postbllokun në kërkim të një makine të vjedhur. “Automjeti i të vrarit erdhi drejt barrierës së policisë dhe kaloi përmes postbllokut, dhe atëherë atyre iu qëlluan me armë”, shtohet në deklaratë.
Kryeministri i Pakistanit Shehbaz Sharif tha se ishte “shumë i trishtuar nga vdekja tragjike e Arshad Sharif”.
Ndërsa ministri i informacionit të Pakistanit, Marriyum Aurangzeb paralajmëroi njerëzit të mos spekulojnë për arsyet e vdekjes, pas zhurmave se është një akt i qëllimshëm për të shuar mbështetjen ndaj ish kryeministrit Imran Khan.
Khan u largua nga posti në prill me një votë mosbesimi, dhe i ndjeri Sharif, në mbështetje të Khan, akuzoi për kërcënime autoritetet vendore të hetimit dhe u largua nga vendi.
Top Channel