Rusia përgatitet për ofensivën ukrainase në rajonin e Hersonit

21/10/2022 15:35

Ushtria ukrainase bëri të ditur të premten se Rusia ka dërguar mijëra trupa të rekrutuar së fundmi për të përforcuar mbrojtjen e rajonit jugor të Hersonit, ku forcat e Kievit kanë bërë përparime të konsiderueshme në ofensivën e tyre për të rimarrë territorin e pushtuar nga Moska.

“Deri në 2000 rekrutë rusë mbërritën në rajonin e pushtuar të Hersonit për të zëvendësuar humbjet dhe për të forcuar njësitë në vijën e kontaktit,” thuhet në një deklaratë për shtyp të shtabit të përgjithshëm të forcave të armatosura të Ukrainës.

Ukraina po përpiqet t’i shtyjë drejt lindjes forcat ruse në Herson, përtej lumit Dnipro që kalon mes rajonit. Ushtarët rusë në bregun perëndimor, ku ndodhet qyteti i Hersonit, thuhet se janë pranë shkëputjes nga linjat e furnizimeve dhe të përforcimeve.

Të premten më 21 tetor, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy i bëri thirrje Perëndimit që të ndalojë Rusinë së shpërthyeri një digë të madhe që do të përmbyste një pjesë të Ukrainës jugore, ndërsa forcat e tij përgatiten të sulmojnë trupat e Moskës në Herson në një nga betejat më të rëndësishme të luftës.

Në një fjalim televiziv, Zelenskiy tha se forcat ruse kishin vendosur eksplozivë brenda digës së madhe Nova Kakhovka, dhe po planifikonin ta hidhnin në erë.

“Tani të gjithë në botë duhet të veprojnë fuqishëm dhe shpejt për të parandaluar një sulm të ri terrorist rus. Shkatërrimi i digës do të nënkuptonte një katastrofë në shkallë të gjerë,” tha ai.

Qyteti i Hersonit, me një popullsi prej rreth 284.000 banorësh, ishte një nga zonat e para urbane të pushtuara nga Rusia kur nisi agresionin ushtarak ndaj Ukrainës. Qyteti është një objektiv i rëndësishëm për të dyja palët për shkak të industrive të tij dhe për një port të rëndësishëm në lumin Dnipro.

Ndërkohë zyrtarët pro-Kremlinit thanë të premten se po organizonin mbrojtjen dhe po e kthenin qytetin Herson, në një “kështjellë” teksa forcat e Kievit përparojnë dhe Rusia ka nisur të evakuojë banorët nga rajoni.

Autoritetet e instaluara nga Moska në Herson thanë të premten se forcat e Kievit vranë katër persona kur bombarduan urën Antonivskiy mbi lumin Dnipro.

“Katër persona u vranë,” tha zyrtari pro-rus Kirill Stremousov në Telegram. “Qyteti i Hersonit, si një kështjellë, po përgatitet për mbrojtjen e tij.”

Një zëdhënëse e ushtrisë ukrainase, Nataliya Gumenyuk mohoi se forcat e Kievit ishin përgjegjëse për sulmin, duke thënë se forcat ukrainase nuk synojnë popullsinë lokale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA