Asociacioni i komunave me shumicë serbe pritet të jetë pjesë e marrëveshjes që duhet të arrihet brenda disa javësh mes Kosovës e Serbisë.
Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me ujdinë e përmendur dhe nga i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. SHBA-ja, ndonëse pret që kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani ta zbatojnë shumë shpejt marrëveshjen për themelimin e Asociacionit, nuk do që ajo të bjerë ndesh me Kushtetutën e Kosovës.
Nga BE-ja, nuk ka asnjë reagim. Dikur ish-Përfaqësuesja së Lartë e Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini pati dhënë garanci se Asociacioni s’do të ketë kompetenca ekzekutive. Por nuk dihet nëse blloku do të vazhdojë t`i mbetet këtij qëndrimi.
Escobari, që ishte të mërkurën në Kosovë, pohoi se me presidenten Vjosa Osmani kanë folur për mënyrat e ndryshme se si mund të formohet ky asociacion. Zyrtari i lartë amerikan u tregua i prerë se ai duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, ligjet e saj dhe të mos ndikojë në funksionimin e shtetit.
“Mendoj se do të jetë një element i rëndësishëm. Është një zotim që tashmë ekziston dhe që duhet të përmbushet. Fola me Presidenten për mënyrat e ndryshme se si Prishtina mund ta krijojë Asociacionin që të jetë një situatë “win-win”, si në veri, ashtu edhe për vetë Kosovën”- u shpreh Escobar.
Ndërkohë, ne mediat vendase po qarkullon me titullin “drafti gjerman” një propozim perëndimor mbi statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Sipas këtij drafti, Asociacioni do të jetë entitet i ligjshëm i krijuar në një linjë me Marrëveshjen e parë dhe Kushtetutën e Kosovës.
Dokumenti me 17 nene parashikon që ky Asociacion të ketë 10 komuna me mundësi zgjerimi. Një vit pas krijimit, statuti i tij mund të shqyrtohet nga Qeveria.
Top Channel